Alternativa mban Kongresin e Parë, 600 delegat vendosin për udhëheqjen e re të partisë

Në prani të mysafirëve të shumtë, 600 delegatëve, si dhe anëtarëve të partisë, Alternativa sot mban Kongresin e Parë në të cilin do të zgjidhet kryetari i ri dhe kryesia e re e partisë.

Në fjalën e tij para të pranishmëve në sallë, kryetari i partisë, Afrim Gashi, iu referua fillimeve dhe formimit të partisë gjatë viteve të kaluara, duke theksuar se Alternativa, kryesia dhe anëtarët e saj nuk janë rastësisht, as nga dëshira në politikë.

Qasja në politikë, siç theksoi Gashi, është e motivuar nga detyra intelektuale dhe morale.
Gashi në fjalën e tij theksoi se Alternativa sot është pjesë e Qeverisë jo përshkak të pasionit për qeverinë, por sepse, siç tha, ne e duam vendin.

“Ne iu bashkuam kësaj qeverie jo se e deshëm pushtetin, por për shkak se e deshëm shtetin. E në një moment kur shteti ishte në ngërç dhe kur rrezikohej stabiliteti i tij, pamundësia e krijimit të një shumice të re, pamundësia e shpalljes së zgjedhjeve të reja dhe rreziku që i kanosej perspektivës europiane me atë gjendje jostabiliteti, ishin shtytja jonë për ta marrë këtë vendim. Natyrisht, për këtë e kishim parasysh edhe pritjen e miqve tanë ndërkombëtarë, si dhe të vëllezërve tanë shqiptarë të rajonit. E dimë mirëfilli se ky vendim ka pasur një kosto politike, por ne me plot vetëdije vendosëm që më mirë të shpëtonte Roma se Cezari, më mirë këtë çmim ta paguante Alternativa sesa qytetarët e vendit tonë “, theksoi.

Para delegatëve dhe anëtarëve të partisë, kryetari Gash vuri në dukje disa prioritete të kryesisë së partisë në periudhën e ardhshme, të cilat tha se do të jenë detyrë themelore në punën dhe përkushtimin e Alternativës si pjesë e Qeverisë aktuale.

“Jo vetëm për nga radhitja, por si prioritet mbi prioritetet, është integrimi. Ndonëse, siç e kemi thënë në sloganin e këtij kongresi, gjithmonë dhe gjithçka ka alternativë, në kontekstin aktual gjeopolitik vetëm integrimi në BE nuk ka alternativë. Kjo është edhe arsyeja që ne kemi kërkuar dhe kemi këshilluar që bisedimet me Republikën e Bullgarisë të zhvendosen nga tema e interpretimit të historisë në interpretimin e ardhmërisë, zhvillimit dhe bashkëpunimit, në mënyrë që historia nesër të na regjistrojë si fqinjë europianë që kanë ditur ta ndihmojnë njëri-tjetrin për të mirën e qytetarëve të tyre“, tha Gashi.

Ndër prioritetet, kryetari Gashi përmendi sigurimin e drejtësisë sepse padrejtësi, pa sundim të ligjit, nuk kakohezion, nuk ka besim të brendshëm, nuk ka shtet funksional, nuk ka aspirata evropiane. Ndër angazhimet kryesore ai për mendi zhvillimin ekonomik dhe rritjen e pagave në raport me nevojat e qytetarëve, si dhe modelin zgjedhor që do të jetë shprehje e vullnetit të vërtetë demokratik.

“Prandaj, prej sot për ne nuk ka as tradhtarë e as atdhetarë. Secila parti e ka programin e saj, votuesin e saj, lidershipin e saj dhe, mbase, kauzën e saj. Ne do të bashkëpunojmë ose do të refuzojmë të bashkëpunojmë duke u bazuar vetëm në vlerat në të cilat ne besojmë e të cilat i përshkrova më sipër. Ne nuk jemi palë e përplasjes, as e ofendimit, as e denigrimit. Nëse dikush dëshiron të gjejë te Alternativa palë, ajo është pala që flet për vlerat e të djathtës konservatore, për shtetin, për kombin, për gjuhën, për familjen, për trashëgiminë kulturore, për identitetin kombëtar e religjioz e kështu me radhë. Kush beson në këto vlera, Alternativën mund ta ketë partner. Kush nuk beson në këto vlera, edhe nëse jep oferta të majme të pushtetit, Alternativën do ta ketë oponent“,tha kryetari Gashi në fjalimin e tij.

Në pjesën e hapur të Kongresit foli edhe Sekretari i Përgjithshëm i partisë, Bekim Sali, i cili theksoi se në Alternativë anëtarët dhe kryesia janë gjithmonë aty ku kërkojnë përgjegjësitë e tyre dhe jo aty kudo të kenë interes personal.

“Për hir të së vërtetës, më duhet të them se, përveç mundësisë, Alternativa ime më ka sfiduar edhe me përgjegjësinë se a mund të lëmë gjurmë të mira në sektorin e shëndetësisë. Dhe, pa dashur ta zaptoj hapësirën e këtij kongresi, unë që këtu dua t’ju them se jemi të angazhuar dhe të fokusuar plotësisht në përmirësimin rrënjësor të sistemit. Ngritja e qendrës së re klinike do të jetë një vepër që mund të mos përfundojë në mandatin tonë, por nëse ne ia arrijmë ta fillojmë – sigurisht me mbështetjen e të gjitha partive politike parlamentare – do të jetë një fitore e madhe e gjithë shoqërisë sonë dhe realizim i një ëndrre të shumë brezave. Prandaj, edhe kam kërkuar nga partia që të ketë mirëkuptim dhe të më lirojë nga detyrimet partiake, për t’iu përkushtuar detyrimeve profesionale“,tha në fjalimin e tij Sekretari i Përgjithshëm, Bekim Sali.

Roli i gruas në parti, si dhe ruajtja e familjes janë ndër angazhimet më të larta të kryesisë dhe anëtarësimit të Alternativës, siç është përfaqësuesja e Forumit të Gruas dhe deputet janë Kuvendin e Republikë së Maqedonisë së Veriut, Safie Sadiki Shaini, e cila mbajti fjalimin e saj për të pranishmit.

“Ndonëse nuk e kemi detyrim statutar, kryetari ynë ka kërkuar që në çdo strukturë të partisë, që nga nëndegët, sëpaku 30% të jenë gra. Meqë besoj se kjo nuk ndodhë gjithkund, unë dua ta falënderoj kryetarin për hapësirën që na e ka dhënë dhe dua t’ju them me mburrje se Alternativa është parti pa paragjykime gjinore“,tha Safije Sadiki nga Forumi i Gruas në fjalën e saj para të pranishmëve në Kongres.

Alternativa jo vetëm që i ka dhënë hapësirë rinisë, por është edhe një parti rinore, tha në fjalën e tij përfaqësuesi i Forumit Rinor, Afan Elezi, duke theksuar se prania e të rinjve në parti nuk ka qenë kurrë vetëm një stoli dhe një numër por përmbajtje reale.

“Ne jemi në skenën politike, jemi në qeveri dhe jemi sot këtu për të dëshmuar me punën dhe me praninë tonë se në vend që të ikim, ne duhet të luftojmë. E di se është mjaft e vështirë të arrihet kjo. E di se autobusët çdo ditë po e braktisin vendin me të rinj që nuk shohin perspektivë këtu. Por, ama, e di edhe se askush nuk do të vijë nga Europa të na krijojë vende pune, mirëqenie, zhvillim dhe cilësi më të mirë të jetës“, tha Elezi.

Pas pjesës formale, Kongresi vazhdoi me pjesën e punës në të cilën delegatët do të duhet të diskutojnë dhe votoj nëpër zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë, si dhe përbërjen e re të Kryesisë Qendrore të partisë. /shenja