Altun: Qendra Turke për Luftimin e Dezinformimit luan një rol kritik në konfliktin izraelito-palestinez

Shefi i Kryesisë së Komunikimit të Presidencës Turke, Fahrettin Altun, theksoi se Qendra për Luftimin e Dezinformimit pranë Kryesisë së Komunikimeve luan një rol kritik në ekspozimin e fushatave të dezinformimit dhe të informacionit të rremë.

Altun mbajti një fjalim në hapjen e Konferencës së 51-të të Unionit të Agjencive të Lajmeve të Azi-Paqësorit (OANA) që po mbahet me mikpritjen e Anadolu-t në Istanbul.

Sipas tij, takimi në fjalë ofron një mundësi për të trajtuar çështjet që lidhen me dezinformimin dhe luftën e informacionit në dritën e zhvillimeve të fundit në rajon.

“Roli i gazetarëve dhe institucioneve mediatike në një epokë që mbizotërojnë pasiguritë dhe tensionet është tejet i rëndësishëm. Përgjegjësitë e tyre shkojnë përtej shkruarjes së lajmit, shërbejnë si mbrojtës kundër fushatave të rrezikshme dezinformuese të nisura nga grupe të ndryshme”, tha ai.

Altun theksoi se çështja e dezinformimit është shfaqur edhe gjatë konflikteve Rusi-Ukrainë, Izrael-Palestinë, si dhe gjatë pandemisë COVID-19, duke shtuar se në mungesë të gazetarisë së përgjegjshme, dezinformimi mund t’i përkeqësojë edhe më tutje krizat aktuale.

Duke tërhequr vëmendjen se kampanjat e informacionit të rremë dhe dezinformimit kanë qëllime dashakeqe si manipulimi i emocioneve publike, ai theksoi nevojën për kujdes ndaj informacionit të rremë në këtë epokë ku dezinformimi shpërndahet me shpejtësi.

“Të jesh i pandjeshëm ndaj dezinformimit, do të thotë të tradhtosh besimin e popullit. Misioni ynë si Kryesia e Komunikimit pranë Presidencës është shumë e qartë. Qëndrimi ynë në luftën për të vërtetën është shumë i qartë”, tha Altun duke treguar se po punojnë për rritjen arsimimit mediatik të popullit turk.

Ai theksoi besimin që qytetarët janë aktorë që mund të ndalojnë përhapjen e dezinformimit, duke vënë në dukje se janë në komunikim të vazhdueshëm me prodhuesit e lajmeve, si në mediat tradicionale, ashtu edhe ato sociale, për të siguruar akses në informacion të saktë dhe burime të sakta.

Me këtë synim, ai shpjegon se kanë formuar Qendrën për Luftimin e Dezinformimit.

“Synimi prioritar i kësaj qendre është të parandalojë përhapjen e informacionit të rremë, të pasaktë dhe mashtrues, si dhe të shërbejë si një burim konfirmimi për pretendimet e pasigurta”, theksoi Altun.

Viktima e parë e luftërave dhe konflikteve: E vërteta

Sipas tij, e vëreta është viktima e pare të luftërave dhe konfliktve, ndërsa konflikti izraelito-palestinez ka nxjerr në pah se sa është e rëndësishme lufta kundër dezinformimit edhe në nivel ndërkombëtar.

“Të dhënat paraprake rreth konfliktit izraelito-palestinez zbulojnë se 74 për qind e llogarive të verifikuara në Twitter kanë përhapur dezinformata në ditët e para të konfliktit. Një tendencë e ngjashme ishte hasur edhe në ditët e para të luftës në Ukrainë. Kjo mund të vazhdojë edhe në konfliktet që mund të ndodhin në rajone të ndryshme të botës. Qendra jonë për Luftimin e Dezinformimit luan një rol kritik në zbulimin e fushatave të dezinformimit dhe të informacionit të rremë në konfliktin izraelito-palestinez”, vlerësoi Altun.

Fahrettin Altun tha se nëse ka një shpresë për përfundimin e tensioneve dhe armiqësive, këtu luajnë rol ata që luftojnë kundër dezinformimit dhe informimit të rremë.

“Duhet të luftojmë dezinformimin në shkallë ndërkombëtare, veçanërisht në kohë krize”

Mes tjerash, Altun theksoi se nuk duhet nënvlerësuar ndikimin e fjalëve dhe koncepteve të përdorura në gjuhën e lajmeve.

“Kjo nuk është e rëndësishme vetëm për formësimin e opinionit publik, por është e rëndësishme se ndikon rrjedhën e vërtetë të zhvillimeve në terren”, tha ai.

Duke u bërë thirrje mediave dhe organizatave joqeveritare, Altun tha: “Ejani t’i bashkojmë përpjekjet tona për të luftuar dezinformimin duke marrë parasysh prodhimin dhe konsumin e lajmeve”.

Altun theksoi se për të luftuar me dezinformimin dhe klishetë nevojitet një strategji kolektive dhe pajtueshmeri, duke shtuar se duhet të luftojnë dezinformimin në shkallë ndërkombëtare, veçanërisht në kohë krize.

Sipas tij, lufta me dezinformimin nuk mund të bëhet nga një aktor i vetëm por me një përpjekje dhe përgjegjësi të përbashkët.

“Së bashku duhet të mbrojmë idealin e së vërtetës dhe të përballemi me qëndrueshmëri kundër fushatave sistematike të dezinformimit”, tha Altun duke vënë në dukje se kontributi i Anadolu-t në luftën për të vërtetën është gjithashtu shumë i vlefshëm.