Ambasadorët e BE-së i thonë PO liberalizimit të vizave për Kosovën

Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën sot ishte në rend dite në takimin e ambasadorëve të Bashkimit Evropian në Bruksel, grup ky që njihet si Coreper.

Lidhur me këtë ka shkruar sot ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavsky.

“Sot kemi marrë një hap të rëndësishëm në drejtim të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe shpresojmë të arrijmë një marrëveshje me Parlamentin Evropian që shpejt këtë premtim ta bëjmë realitet. Liberalizimi i vizave është bërë i mundur nga përpjekjet e Kosovës në forcimin e kufijve, menaxhimi i migrimit dhe sigurisë, dhe ne i besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm se do të rritet në të ardhmen”, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavsky.

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën ishte paraparë të diskutohej më 23 nëntor, por për shkak të situatës lidhur me targat ishte shtyrë për 30 nëntor.

Ndryshe, Projekt- rregullorja do t’u mundësonte mbajtësve të pasaportës së Kosovës të udhëtojnë në BE pa vizë për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore.

Përjashtimi nga kërkesa për vizë do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) dhe në çdo rast jo më vonë se 1 janar 2024.