Agjencia e Menaxhimit Emergjent, ka bërë apel qytetarëve për kujdes, pasi paralajmërohen stuhi lokale me bubullima, reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta.
AME ka treguar për rreziqet kryesore dhe ndikimet e mundshme:
• Përmbytje të shpejta lokale në zonat me reshje intensive;
• Dëmtime në objekte, automjete, infrastrukturë dhe kultura bujqësore, veçanërisht nga breshëri dhe erërat e forta;
• Rritje e rrezikut për ndezjen e zjarreve si pasojë e shkarkimeve atmosferike.
• Pengesa në sistemet e telekomunikacionit.
• Dëmtime në rrjetin elektroenergjetik dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.
• Rrezik i lartë nga goditjet e rrufesë, me pasoja të mundshme për njerëzit dhe kafshët.
Udhëzime sigurie për qytetarët:
• Qëndroni në ambiente të sigurta gjatë stuhisë dhe shmangni lëvizjet e panevojshme;
• Mos u strehoni nën pemë të larta apo pranë objekteve metalike dhe shtyllave elektrike;
• Kujdes në komunikacion: Përshtatni shpejtësinë dhe shmangni rrugët apo nënkalimet e mbuluara nga uji;
• Siguroni pronën: Largoni ose siguroni pajisjet dhe sendet në ballkone e oborre që mund të dëmtohen nga era apo breshëri.
“Njësitë e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, së bashku me Qendrat Operative Emergjente, janë në gatishmëri të plotë reaguese në të gjithë territorin e vendit.
Për çdo rast emergjent, kontaktoni pa pagesë:
• Qendra Operative Emergjente: 112
• Policia e Kosovës: 192
• Zjarrëfikësit: 193
• Ndihma e Shpejtë: 194″, ka njoftuar AME.








