Analiza e tregut të internetit fiks, AKEP propozon heqjen e të gjitha detyrimeve ekzistuese rregullatore

Mbështetur në konkluzionet e analizës, AKEP ka propozuar heqjen e të gjitha detyrimeve rregullatore aktuale për operatorët me fuqi të ndjeshme në tregjet përkatëse.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka hedhur për konsultim analizën e tregjeve me shumicë të aksesit në internet me brez të gjerë (broadband) nga rrjetet fikse.

Mbështetur në konkluzionet e analizës, AKEP ka propozuar heqjen e të gjitha detyrimeve rregullatore aktuale për operatorët me fuqi të ndjeshme në tregjet përkatëse.

Konkretisht, AKEP propozon heqjen e detyrimeve rregullatore ex-ante të vendosura aktualisht për One Albania (ish-Albtelecom) në tregun e aksesit lokal me shumicë të ofruar në një vendndodhje fikse; heqjen e detyrimeve rregullatore ex-ante të vendosura aktualisht për sipërmarrësin One Albania në tregun e aksesit qendror me shumicë të ofruar në një vendndodhje fikse për produktet e tregut të përgjithshëm; heqjen e detyrimeve rregullatore ex-ante të vendosura aktualisht për sipërmarrësin One Albania në tregun e aksesit me shumicë me cilësi të lartë të ofruar në një vendndodhje fikse.

Gjithashtu, AKEP propozon të mos vendosen detyrime rregullatore ex-ante në tregun me shumicë për aksesin pasiv në infrastrukturën fizike ndërurbane.

Këto propozime mbështeten në konkluzionet e analizës së tregjeve broadband fiks në Shqipëri, e para që nga vendimi i fundit, i analizës së tregut në vitin 2016.

AKEP vëren se në treg ka pasur një rritje të konsiderueshme pasi numri i akseseve me broadband fiks u dyfishua në harkun kohor të 6 -7 viteve të fundit.

Kjo rritje, e karakterizuar sidoqoftë ende nga një hendek i konsiderueshëm midis zonave rurale dhe urbane, vjen nga zhvillimi i konkurrencës së bazuar në infrastrukturë.

Operatorët alternativë kanë investuar në zhvillimin e rrjeteve të tyre, duke përdorur infrastrukturën e tyre fizike në nivel lokal, për të ofruar shërbimet e tyre. Si rezultat, lidhjet me fibra optike janë bërë tashmë teknologjia kryesore e aksesit në Shqipëri kundrejt rrjeteve historike të bakrit.

Ndërsa operatorët alternativë zhvilluan rrjetin e tyre, ata janë bërë më konkurrues në tregun e shitjes me pakicë pasi pjesa e tregut e operatorëve të konsoliduar ne treg, duke përfshirë edhe operatorin me fuqi të ndjeshme, vazhdon të ulet.

Një tjetër pasojë e rëndësishme e zhvillimit të konkurrencës së bazuar në infrastrukturë është ulja e volumit të lidhjeve të shitura përmes tregut me shumicë. Deri në fund të vitit 2022, rreth 0,1% e shërbimeve të aksesit në internet të shitura në tregun me pakicë u tenderuan përmes një tregu bitstream me shumicë. Edhe për volumin e vogël të akseseve të shitura në tregun me shumicë, shumica shiten nga operatorë alternativë mbi baza komerciale.

Prandaj, pavarësisht pothuajse mungesës së shtrirjes së produkteve të rregulluara, konkurrenca me pakicë është zhvilluar. Si i tillë, heqja e detyrimeve rregullatore ekzistuese nuk ka gjasa të dëmtojë konsumatorin për shkak të mungesës së konkurrencës në rast të heqjes së rregullimit në tregjet e sipërme me shumicë. Në të njëjtën logjikë, AKEP shprehet se zhvillimi i konkurrencës me pakicë ka ndodhur pavarësisht mungesës së rregullimit në tregjet e tjera me shumicë. /Monitor