Dhjetë anëtarë të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) i kanë bërë thirrje sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për të hetuar sulmet ajrore të regjimit sirian dhe Rusisë ndaj spitaleve në provincën Idlib që ndodhet në veriperëndim të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një letër drejtuar shefit të OKB-së, ambasadorët e SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Francës, Belgjikës, Republikës Dominikane, Gjermanisë, Indonezisë, Kuvajtit, Perusë dhe Polonisë i kanë bërë thirrje Guterresit që të hetojë posaçërisht sulmet ndaj objekteve mjekësore dhe abuzimit të mundshëm të kanalit të OKB-së për zbutjen e konfliktit.
Rusia, Kina dhe shtetet afrikane që nuk janë anëtare të përhershme të këshillit, nuk i janë bashkangjitur thirrjes.
Organizata “Human Rights Watch” gjithashtu mbështeste thirrjen, duke thënë se është e domosdoshme që Guterres të fillojë hetimin.
“OKB u ka siguruar Rusisë, Sirisë dhe palëve të tjera në konflikt me koordinatat e spitaleve në Idlib për të garantuar sigurinë e tyre. Megjithatë, ato objekte për shpëtimin e jetës përsëri janë bombarduar”, tha në një deklaratë Louis Charbonneau, drejtori i organizatës së OKB-së për të drejtat e njeriut.
“Nëse aleanca ruso-siriane i ka përdorur ato koordinata për të sulmuar spitalet, kjo do të ishte një krim lufte, dhe ata që janë përgjegjës duhet të përgjigjen për veprimet e tyre të tmerrshme”, shtoi ai.
Mark Lowcock, koordinatori për çështjet humanitare të OKB-së, të martën i tha Këshillit të Sigurimit se fushata e regjimit që zgjat më shumë se tre muaj, jo vetëm që ka shkatërruar 17 fshatra në jug të Idlibit, por edhe i ka “zbrazur” gjithashtu.
“Ajo që shihni është një nivel shkatërrimi në përputhje me një fushatë bombardimesh që synon një politikë të tokës së djegur”, tha ai.
Sipas OKB-së, të paktën 450 civilë janë vrarë që nga fillimi i ofensivës së regjimit në muajin prill. Këtu përfshihen edhe mbi 100 viktima në dy javët e fundit.
Shtatorin e kaluar, Turqia dhe Rusia ranë dakord për ta kthyer Idlibin në një zonë të de-eskalimit ku aktet e agresionit janë shprehimisht të ndaluara.
Megjithatë, regjimi sirian dhe aleatët e tij vazhdimisht kanë thyer kushtet e armëpushimit, duke nisur sulme të shpeshta brenda zonës së de-eskalimit.
Zona e de-eskalimit aktualisht është e banuar nga rreth 4 milionë civilë, përfshirë qindra mijëra njerëz të shpërngulur nga forcat e regjimit nga qytetet e tyre në të gjithë vendin e shkatërruar nga lufta.





