Anija turistike me 52 persona në bord shpërthen në flakë, tym i zi në qiell

Një anije turistike shpërtheu në flakë pasditen e djeshme në rajonin veriperëndimor të Spanjës, Galicia.

Katamarani ‘Boramar’ kishte në bordin e tij 48 turistë dhe katër anëtarë të ekuipazhit në momentin që u përfshi nga zjarri.

Shumë pasagjerë u hodhën në det, pasi rojet civile të Spanjës dhe anijet e civilëve nxituan drejt vendit të ngjarjes për të shpëtuar njerëzit në anije, sipas mediave lokale.

Një numër pasagjerësh janë trajtuar për djegie dhe lëndime të tjera, dhe shumë prej tyre janë në gjendje shoku pas ngjarjes traumatike/

Autoritetet në rajonin e Galicisë shkruan në llogarinë e tyre në Twitter se dy njerëz  kanë marrë djegie të rënda dhe u transportuan në një spital të martën.

Thirrjet e para të urgjencës u bënë rreth orës 16:20.

Gjithsej 22 ambulanca u thirrën për të ndihmuar të lënduarit nga flakët në breg, së bashku me dy helikopterë mjekësorë në gatishmëri.

Tre të tjerë po trajtohen në spitale të ndryshme lokale, në varësi të lëndimeve të tyre.

Askush nuk vdiq në zjarr.

Kombësia e personave që u përfshinë në incident janë ende të panjohura, raporton express.co.uk.

Kryetari i Bashkisë Grove, José Antonio Cacabelos, tha: “Lajmi më i mirë është se nuk ka vdekje.E gjithë kjo ishte një frikë që askujt nuk i pëlqen ta përjetojë”.

Ai tha gjithashtu se duhet të ndërmerren masa sigurie për të garantuar që një incident i ngjashëm “të mos ndodhë përsëri”.

Ai gjithashtu lavdëroi “aktin vullnetar të marinarëve të një anijeje që kishte ardhur për të shpëtuar ata që ishin hedhur në ujë”

Fotot dramatike tregojnë një tym të zi të trashë që ngjitet në ajër ndërsa flakët djegin anijen.