“Ankaraja dhe Moska do të punojnë së bashku në ndërtimin e qendrës së gazit natyror në rajonin turk të Trakisë”

Ankaraja dhe Moska do të punojnë së bashku për ndërtimin e një qendre të gazit natyror në rajonin e Trakisë në Turqi, pas propozimit të presidentit rus Vladimir Putin në fillim të kësaj jave, tha presidenti Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

“Për një qendër të tillë shpërndarjeje, natyrisht, Trakia shihet si vendi më i rëndësishëm për këtë punë”, u tha Erdoğan gazetarëve në avionin presidencial gjatë kthimit nga vizita në Kazakistan.

“Së bashku me Putinin, ne udhëzuam Ministrinë tonë të Energjisë dhe Burimeve Natyrore dhe institucionin përkatës nga pala ruse që të punojnë së bashku. Ata do ta bëjnë këtë punë atje”, tha presidenti turk.

“Kudo që të jetë vendi më i përshtatshëm, shpresojmë se do ta krijojmë këtë qendër shpërndarjeje atje. Ne kemi një qendër kombëtare shpërndarjeje, por sigurisht tani kjo do të jetë një qendër shpërndarjeje ndërkombëtare”, deklaroi Erdoğan.

Më parë në margjinat e samitit të Konferencës për Ndërveprimin dhe Masat e Ndërtimit të Besimit në Azi (CICA) në kryeqytetin e Kazakistanit Astana, Erdoğan mbajti një takim me dyer të mbyllura me Putinin, i cili propozoi ndërtimin e një qendre gazi natyror në Türkiye.

Duke vlerësuar Turqinë si “partnerin më të besueshëm” për dërgesat e gazit në Evropë, Putin tha se ndërtimi i një qendre në Turqi do të mundësonte, ndër të tjera, rregullimin e çmimeve, shitjen e gazit me çmime të arsyeshme dhe përjashtimin e “politizimit” të çështjes.

Në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë, Erdoğan u tha gazetarëve se ndërmjetësimi i Ankarasë midis dy vendeve vazhdon.

“Për sa i përket ndërmjetësimit të Turqisë, besimi që Rusia dhe disa vende të tjera kanë ndaj Türkiye-s mbetet i njëjtë”, tha presidenti Erdoğan.

“Besimi i vazhdueshëm ndaj Turqisë na bën të lumtur”, shtoi ai.

Turqia ka qenë në kontakt të ngushtë me Rusinë dhe Ukrainën që nga fillimi i luftës. Erdoğan ka theksuar vazhdimisht dëshirën e tij për të sjellë Putinin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy së bashku në tryezën e bisedimeve në Turqi për t’i dhënë fund luftës.

Presidenti i Turqisë foli po ashtu rreth shkeljeve të Greqisë dhe militarizimit të ishujve në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, duke ritheksuar shprehjen e tij tashmë të famshme: “Një natë mund të vijmë papritur”.

“Ne po i shohim ato që (Greqia) bën në Aleksandropoli, në ishuj. Këto nuk na frikësojnë aspak, pasi kemi veshur armaturën. Kemi masa, çdo gjë e kemi gati”, theksoi Erdoğan.