Apel i Ministrisë së Shëndetësisë: Merrni të gjitha dozat e rekomanduara të vaksinës kundër COVID

Ministria e Shëndetësisë sërish ka apeluar te qytetarët e Kosovës që të marrin të gjitha dozat e rekomanduara të vaksinës kundër coronavirusit.

Në kuadër të fushatës për vaksinimin e qytetarëve, Ministria e Shëndetësisë, njofton se nuk mjafton nëse keni marrë vetëm njërën dozë të vaksinimit dhe nuk jeni vaksinuar plotësisht.

“Niveli maksimal i mbrojtjes arrihet vetëm nëse i merrni të gjitha dozat e rekomanduara të vaksinës kundër COVID-19”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se kudo në Kosovë, qytetarët mund të marrin edhe dozën përforcuese dhe dozën e tretë të vaksinës.

Prej shpërthimit të pandemisë në mars të vitit 2020, në Kosovë janë regjistruar mbi 161,000 raste të infektimit.

Prej tyre 2,989 persona kanë vdekur.

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër coronavirusit në mars të këtij viti.

Prej atëherë janë dhënë mbi 1.6 milion doza të vaksinës.

Qytetarët në Kosovë mund të marrin vaksina të kompanive: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur më 20 dhjetor se tani e tutje, qytetarët do të mund të vaksinohen në Qendrën e Mjekësisë Familjare numër shtatë në lagjen Kalabria në Prishtinë dhe jo më në sallën 1 Tetori.

“Me kalimin e ekipeve të vaksinimit për Prishtinën në këtë qendër, salla 1 Tetori do t’i kthehet veprimtarisë së vet primare”, është thënë në njoftim.

Përveç kundër coronavirusit, qytetarët do të mund të vaksinohen në qendrën në Kalabri edhe kundër gripit stinor.