Arabia Saudite ka blerë sistem të mbrojtjes ajrore nga Izraeli?

 Arabia Saudite pretendohet se ka arritur një marrëveshje me Tel Avivin për të blerë sistemin e mbrojtjes ajrore izraelite të quajtur “Kubeja e hekurt”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Faqja e internetit të lajmeve në gjuhën arabe me qendër në Londër, “Al-Khaleej Online” ka pretenduar se qeveria e Rijadit ka arritur një marrëveshje me Izraelin për të blerë sistemin e mbrojtjes ajrore “Kubeja e hekurt”, me qëllim që të pengojë raketat e lëshuara nga rebelët Huthi në Jemen drejt Arabisë Saudite.

Në lajmin e bazuar në një burim të lartë diplomatik emri i të cilit është i paidentifikuar, pretendohet se Izraeli nuk ishte i gatshëm të shiste sistemin e mbrojtjes ajrore ndonjë vendi arab, por se marrëveshja midis Rijadit dhe Tel Avivit është arritur pas ndërmjetësimit të SHBA-ve.

Theksohet se në marrëveshje Tel Avivit i është dhënë “garanci se sistemi i mbrojtjes ajrore nuk do të përbëjë rrezik sigurie për Izraelin dhe kundër ndonjë rajoni”.

Në lajm nuk janë dhënë informacione në lidhje me koston e dakorduar dhe se sa bateri të sistemit të mbrojtjes ajrore do të marrë Arabia Saudite, por është theksuar gjithashtu se sistemi i mbrojtjes ajrore do të dorëzohet në muajin dhjetor dhe se bateritë e “Kubesë së hekurt” qeveria e Rijadit do t’i vendosë pranë kufirit të Arabisë Saudite me Jemenin.

– Izraeli ka mohuar lajmet për sistemin e mbrojtjes ajrore

Burimet izraelite të sigurisë të cilët kanë folur për gazetën “Haaretz” dhe emrat e të cilëve nuk janë deklaruar mohuan lajmin se sistemi i mbrojtjes ajrore “Kubeja e hekurt” i është shitur Arabisë Saudite.

Ndërkohë, nga qeveria e Rijadit ende nuk është bërë ndonjë deklaratë në lidhje me pretendimin e bërë.

Që nga 26 marsi 2015 kur forcat e koalicionit nën udhëheqjen e Arabisë Saudite nisën operacionin ushtarak në mbështetje të qeverisë legjitime në Jemen, rebelët Huthi shpeshherë kryejnë sulme me raketa në zona të ndryshme të Arabisë Saudite.