Arabia Saudite, eksportuesja më e madhe e naftës në botë, po përpiqet të përfitojë nga rrugët alternative të eksportit përmes portit Yanbu, ndërsa lufta në Lindjen e Mesme po pengon eksportet.
E vendosur në bregdetin e Detit të Kuq, Yanbu është bërë një komponent kyç i strategjisë së mbretërisë për të siguruar dërgesa të pandërprera të naftës së papërpunuar, sipas të dhënave nga Kpler të publikuara të mërkurën.
Porti është i lidhur me fushat e naftës në lindje të Arabisë Saudite përmes tubacionit Lindje-Perëndim, i gjatë 1.200 kilometra, duke mundësuar që nafta të anashkalojë Ngushticën e Hormuzit.
Para 28 shkurtit, eksportet nga ky port mesatarisht ishin rreth 0,8 milion fuçi në ditë. Nga mesi i marsit, konkretisht mes 15 dhe 26 marsit, kjo shifër u rrit në rreth 3,94 milionë fuçi në ditë, duke sinjalizuar një rritje të shpejtë të përdorimit, sipas të dhënave të Kpler.
Ky ndryshim vjen në një kohë kur eksportet e përgjithshme të naftës të Arabisë Saudite kanë shfaqur luhatje, duke rënë nga 7,1 milionë fuçi në ditë në shkurt në 4,3 milionë në mars, sipas të dhënave.
Ngushtica e Hormuzit është bllokuar në mënyrë efektive që nga fillimi i marsit. Rreth 20 milionë fuçi naftë kalojnë zakonisht çdo ditë nëpër këtë rrugë ujore, dhe ndërprerja e saj ka rritur kostot e transportit dhe ka shtyrë në rritje çmimet globale të naftës.
Yanbu është bërë një nga dy daljet kryesore për eksportin e naftës nga vendet e Gjirit, pasi Irani mbylli Ngushticën e Hormuzit në shenjë kundërpërgjigjeje ndaj sulmeve të ShBA-së dhe Izraelit që nisën më 28 shkurt.



