Armeni, turma në rrugë pas deklaratës së ushtrisë për dorëheqjen e kryeministrit

Pas thirrjes së ushtrisë armene për dorëheqjen e kryeministrit Nikol Pashinyan, mbështetësit e qeverisë dhe opozitës u tubuan në kryeqytetin Jerevan, raporton Anadolu Agency (AA).

Derisa Pashinyan u mblodh me mbështetësit e tij në sheshin “Republika” në Jerevan, grupet e opozitës që mbështetën thirrjen e ushtrisë armene për dorëheqjen e kryeministrit u tubuan në sheshin “Liria”.

Në tubimet, ku morën pjesë mijëra njerëz, herë pas here kishte përplasje të ashpër midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të Pashinyan-it.

Në fjalimin e tij sheshin “Republika”, Pashinyan deklaroi se ushtria i përgjigjet atij dhe popullit, duke shtuar se dorëheqja nuk do t’i zgjidhte problemet e vendit.

“Vetëm populli mund të vendosë nëse do të jap dorëheqjen apo jo. Populli armen nuk do të lejojë një grusht shteti ushtarak”, deklaroi Pashinyan.

Pashinyan po ashtu tha se ka diskutuar situatën në vend me presidentin Armen Sarkisyan në telefon dhe tha se i ka kërkuar atij të nënshkruajë dekretin për shkarkimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Onik Gasparyan.

“Nëse presidenti nuk e nënshkruan këtë, kjo do të thotë se ai po mbështet grushtin e shtetit”, shtoi Pashinyan.

Duke thirrur Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të japë dorëheqje, Pashinyan tha: “Unë nuk do të lejoj që Gasparyan të nxisë ushtrinë kundër njerëzve. Zyrtarët e tjerë në ushtri duhet të marrin detyrën”.

Ai rikujtoi se tashmë ka rekomanduar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por se nga kjo ide ka hequr dorë pas kërkesës së mbështetësve të tij.

Nga ana tjetër, në një deklaratë me shkrim nga Ministria armene e Mbrojtjes, u theksua se forcat e armatosura po mbrojnë kufijtë e vendit dhe ruajnë sigurinë.

“Përpjekjet për të përfshirë forcat e armatosura në proceset politike në vend janë të papranueshme. Çdo iniciativë e tillë paraqet kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë në vend. Ministria do të reagojë ndaj veprimeve të tilla, siç është e nevojshme”, thuhet në deklaratë.

Ndryshe, zhvillimet vijnë pasi Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Onik Gasparyan, dhe komandantët e lartë publikuan një deklaratë duke i bërë thirrje kryeministrit Nikol Pashinyan të japë dorëheqjen.

Pashinyan e përshkroi deklaratën e ushtrisë si “përpjekje për grushti shteti” dhe njoftoi se ai e ka shkarkuar shefin e ushtrisë, Gasparyan.