Ekspertiza televizive e një “Vizitori Nderi” në Meksikë përballë ligjit dhe interesit publik
Në peizazhin e mbingarkuar mediatik shqiptar, ku kufiri mes ekspertizës reale dhe rregullimit të qëllimshëm të axhendave politike është pothuajse i padukshëm, Ervin Karamuço është shndërruar në një figurë e mbipranishme.
I prezantuar rregullisht nëpër studio televizive si profesor dhe ekspert i kriminalistikës dhe sigurisë kombëtare, ai ka ndërtuar profilin e një njeriu që “di gjithçka” mbi sekretet më të errëta të shtetit, terrorizmit dhe celulave klandestine.
Megjithatë, një vështrim i thjeshtë në jetëshkrimin e tij zyrtar zbeh ndjeshëm këtë aureolë të krijuar me kujdes. Përveç punës si pedagog në Fakultetin e Drejtësisë apo angazhimeve të hershme si këshilltar kabineti, drejtor dhe zëvendëskomisioner pranë institucionit të Avokatit të Popullit, në CV-në e Karamuços nuk figuron asnjë përvojë e drejtpërdrejtë, qoftë operative, analitike apo drejtuese, në strukturat e Policisë së Shtetit apo në sektorët e specializuar të Antiterorrit.
Ky hendek i thellë midis mungesës absolute të përvojës në terren dhe rolit të tij si “autoritet suprem” televiziv për sigurinë, shpjegon edhe stilin e tij të preferuar: deklaratat bombastike me një natyrë të pastër bllofiste.
Këto ndërhyrje synojnë më shumë prodhimn e titujve të bujshëm nëpër portale dhe përhapjen e panikut, sesa ndriçimin real të opinionit publik.
Një nga kuajt e tij të preferuara të betejës ka qenë denoncimi i herëpashershëm i asaj që ai e quan “ekstremizëm islamik”, duke u nxitur nga ngjarje sporadike për të ngritur alarme mbi “xhami të paregjistruara” apo celula terroriste imagjinare, pa pritur asnjëherë verifikimet zyrtare të institucioneve.
Rasti më i fundit që ilustron këtë strategji tensionimi dhe shërbimi ndaj axhendave të huaja është trajtimi i çështjes së Ikballe Hudutit, e shpallur së fundmi “non grata”. Karamuço nxitoi të paralajmëronte nëpër studio “arrestime masive” dhe “masa të forta drakoniane” me karakter penal ndaj personavë që ai i cilëson si të lidhur me frymën e Iranit dhe si armiq të “aleatit tonë”, Izraelit.
Ai shkoi deri aty sa të kërkonte ndërhyrjen e Antiterorrit ndaj analistëve dhe gazetarëve që thjesht guxojnë të kritikojnë aventurizmin diplomatik të Edi Ramës me kultet iraniane apo të dënojnë krimet e Izraelit.
Por këtu lind pyetja thelbësore: Në emër të kujt flet dhe i bën këto paralajmërime Ervin Karamuço? Organet legjitime të Antiterorrit në Shqipëri, sa herë që kanë shqetësime reale apo indikacione për cenim të sigurisë, ndjekin procedurat ligjore.
Ata shoqërojnë për sqarim apo marrin në pyetje persona të caktuar në mënyrë institucionale, pa pasur nevojë për trumbetues mediatikë që të bëjnë terror psikologjik paraprak. Në emër të kujt shprehet Karamuço kaq i alarmuar për dëmtimin e “interesit kombëtar”?
Aq më tepër kur sot, ky interes nuk mbrohet as nga retorika e tij bllofiste dhe as nga një grusht i pakët njerëzish që i kanë mbetur rreth e rrotull Edi Ramës për të bërë propagandën e radhës.
Interesi kombëtar dhe rruga evropiane e vendit po mbrohen sot nga qindra mijëra shqiptarë të zakonshëm që refuzojnë censurën, nga media ndërkombëtare, eurodeputetët dhe vetë Bashkimi Evropian, të cilët kërkojnë liri shprehjeje dhe shtet të së drejtës, e jo gjueti shtrigash ndaj “armiqve të popullit” të sajuar për llogari të pushtetit.
Ndoshta përpara se të marrë përsipër fatet e sigurisë kombëtare dhe të diktojë arrestime gazetarësh nga studioja, profesori bën mirë të kujtojë se ekspertiza e tij në terren mbetet po aq ekzotike sa edhe titujt që mban në sirtar.
Sepse në fund të fundit, kur shteti dhe Antiterorri i vërtetë zgjedhin rrugën e ligjit dhe jo të mandateve televizive, “autoritetit” tonë të gjithëdijshëm nuk i mbetet gjë tjetër veçse ta kërkojë legjitimitetin e kërcënimeve të tij te titulli i “Vizitorit të Nderit” në shtetin e Zakatekasit në Meksikë, një medalje që feks dukshëm në CV-në e tij.
Ndoshta atje, mes karteleve reale të narko-trafikut dhe rreziqeve të vërteta, paralajmërimet e tij bombastike do të gjenin më shumë dëgjues sesa mes shqiptarëve të zakonshëm, që tashmë janë ngopur me sirenat e pushtetit. \tesheshi






