“Show Faith” mori 4.1 milionë dollarë nga diplomacia sioniste për një operacion të gjerë të fshehtë
Tetorin e vitit të kaluar, The Times of Israel publikoi një lajm bombë, por ai kaloi pothuajse pa u vënë re. Disa ditë më parë, atë e riktheu në qendër të vëmendjes MintPress News.
Show Faith, një kompani me bazë në Kaliforni, e drejtuar nga aktivisti konservator Chad Schnitger, i ka deklaruar Departamentit amerikan të Drejtësisë se ka marrë 4.1 milionë dollarë nga Ministria e Jashtme e Izraelit për të zhvilluar një operacion të gjerë të fshehtë mbikëqyrjeje dhe propagande dixhitale, që synon komunitetet protestante të krishtera në shumë shtete amerikane.
Sipas dokumenteve të depozituara në bazë të Foreign Agents Registration Act (FARA), Izraeli ka monitoruar kërkimet në internet, të dhënat e gjeolokalizimit dhe aktivitetin online të 8 milionë të krishterëve amerikanë, duke i bombarduar me propagandë pro-izraelite dhe anti-palestineze.
Synimi ka qenë t’i bindë se një shtet palestinez nuk ka ekzistuar kurrë ose nuk duhet të ekzistojë, se palestinezët strehojnë terroristë dhe fshehin armë në shkollat dhe spitalet e tyre, se objektivat e palestinezëve janë “gjenocidale”, se banorët e Gazës vrasin punonjësit e krishterë amerikanë të ndihmës humanitare që shpërndajnë ushqime në terren dhe se “Izraeli është vendlindja e Jezusit”.
“Fushata”, shpjegon MintPress News, “përdor një teknologji të sofistikuar të quajtur geofencing, e cila mundëson regjistrimin dhe gjurmimin e çdo telefoni ose pajisjeje që hyn në një hapësirë të caktuar, në këtë rast një kishë ose një kolegj protestant.
Më pas, Show Faith u dërgon atyre pajisjeve propagandë sioniste përmes kërkimeve në Google, rrjeteve sociale, aplikacioneve dhe platformave të ndryshme.
Të dhënat mbi sjelljen e përdoruesve – si reagojnë ndaj reklamave, çfarë klikojnë dhe sa kohë qëndrojnë mbi një përmbajtje – përdoren për ta përshtatur mesazhin për secilin objektiv, duke e bërë indoktrinimin më efektiv.
Sistemi grumbullon një sasi të madhe të dhënash për çdo besimtar: vendet që frekuenton, bindjet, preferencat dhe veprimet e tij, me qëllim manipulimin sa më efikas.
Po ashtu manipulohet edhe ajo që përdoruesi sheh në internet, përfshirë rezultatet e kërkimit dhe rrjedhën e lajmeve. Asnjë nga milionat e individëve të vënë në shënjestër nuk është në dijeni të asaj që po ndodh.”
Veprimtaritë propagandistike të Show Faith janë të shumta. Dhjetorin e vitit të kaluar, kompania dërgoi në Izrael një mijë anëtarë të klerit amerikan, me synimin për t’i shndërruar në ambasadorë jozyrtarë të saj.
Ajo shpërndan “burime pastorale” – pra materiale me propagandë sioniste – në qindra kisha dhe rekruton pastorë që të shkruajnë artikuj pro Izraelit në gazeta.
Për më tepër, Show Faith optimizon motorët e kërkimit për të rritur dukshmërinë e propagandës së saj, duke “ridrejtuar trafikun në bazë të fjalëve kyçe”, “duke siguruar që faqja jonë të shfaqet në krye të rezultateve të kërkimit” dhe “duke u dhënë përparësi informacioneve tona te grupet kryesore demografike”.
Së fundi, kompania synon të përdorë edhe një teknikë të re të njohur si Generative Engine Optimization (GEO) për të ndikuar në mënyrën se si ChatGPT dhe Claude mësojnë dhe gjenerojnë përgjigje, me synimin që këto sisteme të shprehin qëndrime më të favorshme ndaj Izraelit.
Pas kësaj fushate fshihet një arsye e qartë. Mbështetja për Izraelin mes të rinjve amerikanë, të cilët i marrin lajmet kryesisht nga rrjetet sociale, ka rënë në 23 për qind, ndërsa vetëm një vit më parë ishte 44 për qind.
Mes të rinjve të krishterë, mbështetja varion nga 29 për qind te protestantët në 22 për qind te katolikët. Përjashtim bëjnë të rinjtë ungjillorë: 47 për qind e tyre vazhdojnë ta mbështesin Izraelin, pasi besojnë se ekzistenca e tij është kusht i domosdoshëm për fundin e kohëve, kur Jezusi do të kthehet në Tokë për të vendosur mbretërinë e tij qiellore.
Gjithsesi, sondazhi i fundit i Pew Research Center tregon se 63 për qind e amerikanëve kanë sot një opinion negativ për Izraelin, edhe pse të rriturit vazhdojnë të informohen kryesisht përmes televizioneve pro Izraelit në pronësi të magnatëve si Larry Ellison dhe Rupert Murdoch, miq personalë të Benjamin Netanyahut.
Ndërkohë, një raport i ri i OKB-së deklaron: “Provat tregojnë se fëmijët palestinezë janë marrë qëllimisht në shënjestër dhe janë vrarë nga ushtarët izraelitë, duke minuar aftësinë e popullit palestinez për të ekzistuar dhe për të përcaktuar të ardhmen e vet. Kjo përbën gjenocid.”
Kur realiteti është kaq i tmerrshëm, nuk mund ta fshehësh nën qilim, edhe nëse quhesh Izrael. /tesheshi





