Arratisja e Sekiraqës, Kurti: Dështim i sistemit gjyqësor që vazhdon të arratiset vetë nga drejtësia

Kryeministri, Albin Kurti ka komentuar arratisjen e Enver Sekiraqës, duke thënë se ky është një dështim i sistemit tonë gjyqësor që vazhdon të arratiset vetë nga drejtësia.

Kurti është shprehur se vrasësit e policëve në liri janë kulmi i padrejtësisë, andaj sipas tij, reforma në drejtësi që dikur ishte nevojë tash është urgjencë kombëtare.

“Arratisja e personit përgjegjës për vrasjen e tij Enver Sekiraqës është dështim i sistemit tonë gjyqësor që vazhdon të arratiset vetë nga drejtësia. Shteti i së drejtës dhe sundimi i ligjit janë dhe duhet të jenë qëllim dhe përkushtim i shtetit. Me gjyqësorin e mirë që drejtësinë dhe ligjin i bën sinonime në përshtypjen e qytetarëve. Vrasësit e policëve në liri janë kulmi i padrejtësisë,reforma në drejtësi që dikur ishte nevojë tash është urgjencë kombëtare”, tha ai në mbledhjen e qeverisë.

Ndërsa, ai ka pasur fjalë të mira për të ndjerin policin, Triumf Riza, për të cilin tha se ishte profesionist i shkathtë, i pashoq në detyrë e shumë njerëzor me qytetarë.

“Në fundjavën që po e lëmë pas kuptuam që njëri prej personave më famë keq nga bota e krimit i cili javën e kaluar u dënuar përfundimisht nga gjykata me 25 vjet burgim për vrasjen e Triumf Rizës, polic i Kosovës është arratisur. Të gjithë ata që e kanë njohur Triumfin e përshkruajnë njerëzi si profesionist të shkathtë të pashoq në detyrë e shumë njerëzor me qytetarë. Triumfin e kam takuar edhe unë dhe kam po këtë përshtypje”, ka shtuar ai.