Arratisja nga Burgu i Dubravës, suspendohen tre zyrtarë

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka ndërmarrë menjëherë masa për rastin e arratisjes nga QKUK-ja, të një të burgosuri.

Ai të shtunën paralajmëroi se do të kërkojë përgjegjësi.

Ndërsa sot janë suspenduar nga puna deri në përfundimin e hetimeve, U.D e Drejtorit të Qendrës Korrektuese të Dubravës si dhe dy oficerë përgjegjës për rastin, transmeton lajmi.net

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate:

Ministria e Drejtësisë, përmes kësaj komunikate njofton qytetarët se duke u bazuar në mandatin ligjor të saj, ka ndërmarrë masa të nevojshme për të adresuar përgjegjësinë dhe për t’i dhënë mundësi hetimit të pavarur dhe të pandikuar në lidhje me rastin e fundit të arratisjes nga QKUK-ja, të një personi në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese të Dubravës.

Duke shfrytëzuar mandatin ligjor, janë marrë masat për fillimin e hetimit të përgjithshëm si nga ana e policisë, inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë dhe komisionit hetues në nivel ministrie.

Paralelisht me këtë, janë suspenduar nga puna deri në përfundimin e hetimeve, U.D e Drejtorit të Qendrës Korrektuese të Dubravës si dhe dy oficerë përgjegjës për rastin.

Ministria e Drejtësisë është e vendosur që çdo parregullsi në fushën e Drejtësisë dhe mekanizmave të saj të adresohet në përgjegjësi zyrtare dhe ligjore, në mënyrë që të rritet përkushtimi dhe efikasiteti i zbatimit të ligjit dhe të parandalohet çdo keqpërdorim i mundshëm gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht rrethanave dhe arsyeve”, thuhet në një komunikatë të ministrisë.