Arrestohet hetuesi i krimeve ekonomike dhe një polic, dyshohen për marrje ryshfeti

Për dyshime për korrupsion, mbrëmë është arrestuar hetuesi i krimeve ekonomike, Lavdim Osmani. Pak më vonë, siç mësoi Koha Ditore, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe policin Lutfi Menxhiqi, nën dyshime për korrupsion, marrje ryshfeti e keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sot përmes një komunikate për media, konfirmohet se Inspektorati Policor i Kosovës kishte pranuar informacione përmes rrugëve operative se dy të dyshuar (zyrtar policor në Drejtorinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit) mund të jenë të përfshirë në aktivitete të kundërligjshme.

“Bazuar në këto informacione, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorin kompetent filluan të ndërmarrin veprime hetimore/operative duke përfshirë edhe masat e fshehta të hetimit ndaj dy zyrtarëve policorë dhe një qytetari. Bazuar në dëshmitë dhe provat e mbledhura si dhe bazuar në urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, mbrëmë në Prishtinë është realizuar operacioni koduar me emrin “Ryshfeti” i cili rezultoi me arrestimin në flagrancë të një zyrtari policor dhe një qytetari”, thuhet në njoftim, transmeton Koha.net.

Zyrtari policor Lavdim Osmani (zyrtar policor në Drejtorinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit) është arrestuar nga hetuesit e IPK-së me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në vazhdën e veprimeve hetimore, operacioni “Ryshfeti” ka vazhduar me bastisje në dy lokacione të ndryshme (një në Prishtinë dhe tjetri në Vushtrri) ku janë gjetur prova të konsiderueshme dhe është arrestuar edhe i dyshuari tjetër – zyrtari policor me inicialet Lutfi Menxhiqi (rreshter policor në Drejtorinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit).

Rreshteri policor është arrestuar me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të armëve”.

Të arrestuarve në këtë rast nga Inspektorati Policor me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, përfundon raporti i IPK-së.