Arrestohet mashtruesi i qindra kosovarëve: Premtonte viza pune, merrte paratë e zhdukej

Një person është arrestuar nën dyshimin se ka mashtruar qindra qytetarë.

Prokuroria ndaj të njëjtit ka iniciuar veprën penale “mashtrimi” dhe “falsifikimi i dokumenteve”, shkruan lajmi.net.

Prokuroria në komunikatën e saj ka bërë të ditur se V.C, i dyshuar në këtë rast, dyshohet se nga data 12.09.2019 e deri në muajin shtator 2021, në Agjencinë “BCD Travel”, për të cilin rast prokuroria e ka njoftuar opinionin publik, i njëjti në bashkëkryerje me disa persona kanë mashtruar qindra qytetarë, tani të dëmtuarit, në atë mënyrë që duke përdorur dokumente të falsifikuara kanë hapur agjencinë e lartcekur dhe përmes paraqitjes së rreme të fakteve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore kanë mashtruar të dëmtuarit kinse për t’ju siguruar viza pune për në shtetet perëndimore dhe skandinave.

Prokuroria ka bërë të ditur tutje se për këto shërbime të aplikimit përmes kontratave të pavërteta, të dëmtuarit kanë paguar shuma të caktuara të parave me premtimin se do t’i marrin vizat, mirëpo pas përpjekjeve për të kontaktuar me personat përgjegjës, të pandehurit nuk janë lajmëruar, me ç’ rast të dëmtuarve ju është shkaktuar dëm material.

Në lidhje me rastin e njëjtë janë arrestuar edhe katër persona tjerë.