Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar një zyrtar policor me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “dhunë në familje”.
IPK kishte pranuar mbrëmë rreth orës 20:00 një informacion përmes “Linjës së kaltër” lidhur me dyshimin së një zyrtar policor ka kryer veprën penale dhunë në familje e paraparë me nenin 248 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Menjëherë pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së i janë përgjigjur thirrjes duke intervistuar të dyshuarin (zyrtarin policor) si dhe viktimën e këtij rasti – bashkëshorten e tij në Fushë Kosovë.
Pas disa veprimeve fillestare hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent i Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.
Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.