Arrestohet presidenti i Perusë Pedro Castillo pas përpjekjes për ta shpërndarë Kongresin

Pedro Castillo

Presidenti i Perusë, Pedro Castillo, u arrestua disa orë pasi njoftoi shpërndarjen e përkohshme të Kongresit dhe formimin e një “qeverie kombëtare të jashtëzakonshme”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Castillo tha në një fjalim televiziv se do të kërkonte zgjedhje të Kongresit për të miratuar një Kushtetutë të re. Njoftimi u bë disa orë përpara se të përballej me procedurë fajësimi (impiçment) në Kongres.

Presidenti u arrestua pas fjalimit të tij. Një video në mediat sociale tregon Castillo-n duke u arrestuar në rrugë nga policia.

Ndërkohë, ligjvënësit vazhduan të votojnë me sukses për impiçmentin e Castillo-s pavarësisht njoftimit të tij.

Dina Boluarte u emërua si kandidate për të marrë presidencën.

Shpërndarja e Kongresit u dënua nga forcat politike, duke përfshirë partinë që e solli në pushtet, Peru Libre, ndërsa pasuan një sërë dorëheqjesh të kabinetit.

Castillo i ka mbijetuar dy impiçmenteve të pasuksesshme. Ai po përballet me hetime me akuza për kryerjen e krimeve të lidhura me “organizatë kriminale”, por Castillo i ka mohuar akuzat duke thënë se “grupe të interesit ekonomik” po kërkojnë ta largojnë atë.

Peruja ka pasur pesë presidentë që nga viti 2016, duke përfshirë Castillo-n, i cili u zgjodh për të shërbyer në periudhën 2021-2026.

Në vitin 2018, Pedro Pablo Kuczynski u përball me një mocion për impiçment, por dha dorëheqjen përpara votimit.