Arrin në 83 numri i viktimave nga uragani Ian

Të paktën 83 persona kanë humbur jetën nga goditja e uraganit Ian, i cili preku shtetin amerikan të Florida-s, sipas një raporti të publikuar të dielën.

Stuhia tropikale shkaktoi përmbytje dhe shkatërrim në jugperëndim të Floridas, ndërsa më të prekura ishin Fort Myers, Fort Myers Beach dhe Cape Coral.

Sipas NBC News, dyshohet se numri i viktimave do të vazhdojë të rritet.

Në Karolinën e Veriut, katër persona humbën jetën nga stuhia.

Pasi stuhia shkatërruese e kategorisë së katërt arriti në tokë të mërkurën, përpjekjet e shpëtimit janë duke u zhvilluar për të ndihmuar popullatën.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, të enjten deklaroi se uragani Ian “mund të jetë më vdekjeprurësi” në historinë e vendit.

“Ky mund të jetë uragani më vdekjeprurës në historinë e Floridas. Shifrat janë ende të paqarta, por jemi duke i dëgjuar raportet e hershme për atë që mund të jetë një humbje e konsiderueshme e jetëve”, tha Biden.

Presidenti dhe zonja e parë Jill Biden pritet të udhëtojnë në Florida. /atsh