Arsenali, fitore komode ndaj Olympiacos

Arsenali ka shënuar fitore me rezultat 2-0 në shtëpi ndaj Olympiacosit në kuadër të raundit të dytë të Ligës së Kampionëve.

‘Topçinjtë’ e nisën vrullshëm takimin duke rrezikuar në dy raste, fillimisht me Gabriel Martinellin në minutën e tretë dhe pastaj me Viktor Gyokeres në minutën e 12-të.

Ishte pikërisht Martinelli ai i cili realizoi golin që në fund doli të ishte i tri pikëve për Arsenalin, duke shfrytëzuar një kaos para portës për rezultatin 1-0.

Reagimi i parë nga mysafirët erdhi në minutën e 20-të, kur goditjen e fuqishme të Daniel Podences e ndali portieri vendas David Raya.

Në minutën e 54-të Arsenali pati mundësinë të dyfishonte rezultatin, por Leandro Trossard nuk ia doli të shënojë nga një rast ideal shënimi.

Olympiacos ia doli të barazojë shifrat në minutën e 67-të përmes Chiquinhos, por ai u anulua për pozicion jashtë loje.

Për rezultatin përfundimtar të ndeshjes 2-0 u përkujdes Bukayo Saka i cili në minutën e 92-të realizoi për 2-0.

Të besuarit e Mikel Artetës tashmë kanë gjashtë pikë në fazën e ligës në Ligën e Kampionëve, pas fitores në xhiron hapëse ndaj Athletic Bilbaos në udhëtim.