Me rreth 350 mijë luftëtarë, huthinjtë nuk janë më thjesht një milici jemenase që ka konsoliduar pushtetin në perëndim të vendit.
Për më shumë se një dekadë, grupi ka ndërtuar një makineri ushtarake që i lejon të projektojë forcën e tij drejt Detit të Kuq, një nga korridoret më të rëndësishme tregtare të botës.
Përparimet e fundit i kanë nxjerrë luftëtarët përtej bastioneve tradicionale, duke u dhënë kontroll mbi ishuj dhe pozicione të reja përgjatë bregdetit, përfshirë portin strategjik të Mokhas.
Përgatitjet për ofensivën kishin nisur prej muajsh, me transferimin e mijëra luftëtarëve dhe sasive të mëdha të armëve në zonën përreth qytetit.
Një avantazh tjetër është kontrolli mbi një pjesë të infrastrukturës së telekomunikacionit në Jemen. Kjo u ka dhënë mundësi të përgjojnë komunikimet e kundërshtarëve, të mbledhin informacion dhe të krijojnë konfuzion në radhët e tyre.
Një luftë asimetrike në Detin e Kuq
Huthinjtë nuk kanë një flotë tradicionale, por kanë ndërtuar një kapacitet të fuqishëm sulmues asimetrik. Nga brigjet e Jemenit, ata mund të përdorin raketa kundër anijeve, dronë shpërthyes, mina detare, skafe të armatosura dhe mjete pa ekuipazh.
Këto sisteme, relativisht të lira në krahasim me mjetet që detyrohen të përdorin flotat perëndimore për t’i neutralizuar, mund të shkaktojnë kosto të mëdha për mbrojtjen e anijeve tregtare dhe ushtarake.
Në qendër të këtij arsenali qëndrojnë raketat balistike, raketat e lundrimit, sistemet kundër anijeve dhe një gamë e gjerë dronësh. Një pjesë e rëndësishme e teknologjisë vjen drejtpërdrejt ose tërthorazi nga Irani.
Ndërkkohë ata kanë zhvilluar ndërkohë kapacitete të tyre për montim dhe modifikim, ndërsa sistemet më të sofistikuara vazhdojnë të varen nga teknologjia, komponentët dhe asistenca e jashtme.
Sipas Departamentit amerikan të Mbrojtjes, një pjesë e këtyre armëve ruhet në struktura nëntokësore.
Roli i Iranit
Ndërtimi i kësaj makinerie ushtarake u përshpejtua pas vitit 2015, kur Forca Quds e Gardës Revolucionare iraniane nisi të transferonte komponentë për raketa dhe dronë me origjinë iraniane.
Bashkë me pajisjet, specialistë iranianë dyshohet se kanë ndihmuar në trajnimin e luftëtarëve që i ndërtonin, modifikonin dhe përdornin këto sisteme.
Transformimi u bë i dukshëm përmes sulmeve ndaj infrastrukturës së naftës në Arabinë Saudite, operacioneve kundër anijeve në Detin e Kuq dhe kërcënimeve ndaj forcave amerikane në rajon.
Një rol të veçantë kanë dronët kamikazë. Huthinjtë përdorin mjete të derivuara nga dronët iranianë Shahed, ndërsa sistemet Samad janë përdorur kundër objektivave në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izrael.
Nga Irani te Kina
Kapaciteti kundër anijeve është një tjetër element i rëndësishëm. Ata janë bërë aktori i parë jo-shtetëror që ka përdorur raketa balistike kundër anijeve, duke i përshtatur ato për kushtet e Detit të Kuq.
Por rrjeti i furnizimit nuk përfundon te Irani. Sipas raporteve të Kombeve të Bashkuara dhe analizave të ekspertëve të armëve, kompani kineze kanë furnizuar produkte me përdorim të dyfishtë, pra komponentë që mund të përdoren si në industrinë civile, ashtu edhe në pajisje ushtarake.
Disa prej tyre kanë rëndësi të veçantë për teknologjinë e dronëve. Në të njëjtën kohë, prej vitesh funksionon një rrjet kontrabande detare.
Garda Revolucionare iraniane ka përdorur anije të vogla tradicionale, të njohura si dhow, për të transportuar armë, pjesë dronësh dhe komponentë raketash. Edhe pse një pjesë e ngarkesave janë kapur nga forcat amerikane, trafiku nuk është ndërprerë.
Kështu është krijuar një rrjet që shtrihet në të dyja brigjet e Detit të Kuq dhe bashkon teknologjinë iraniane, prodhimin lokal, komponentët e huaj dhe kontrabandën.
Rezultati është një forcë që ka kaluar nga një grup guerril në Jemen në një aktor të aftë të ndikojë drejtpërdrejt mbi sigurinë e një prej rrugëve më të rëndësishme detare në botë. /tesheshi






