As kryesindikalistja evropiane nuk e zgjidh ngërçin, greva vazhdon

Drejtoresha e Përgjithshme e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës, Susan Flocken ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe kreun e Këshillit Grevist, Rrahman Jashari për të diskutuar rreth gjetjes së një zgjidhje për ndaljen e grevës.

Por, Flocken ka konfirmuar se nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje me Qeverinë dhe se greva në arsim vazhdon.

“Patëm biseda të gjata dhe nuk mundëm të gjenim një zgjidhje. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim SBASHK-un dhe anëtarët e saj në hapat që do i ndërmarrin”, tha ajo.

Kurse, kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jashari ka thënë se me gjithë argumentet e Flockenit në mbështetje të grevës, Qeveria nuk ka ndërruar qëndrim.

“Sot takimi i ishte dedikuar zonjës Flocken, ishte një takim që ne pretenduam që në emër të gjithë kolegëve tanë, qeveria duhet ta ndërrojë kahjen dhe qëndrimin. Me gjithë argumentet dhe mbështetjen e paraqitur nga zonja Flocken, duket se Qeveria nuk ka ndërruar në qëndrimet e veta. Nuk kemi asnjë lëvizje fatkeqësisht dhe kemi pritur shumë nga ky takim presinim që Qeveria të lëvizte nga pozicioni i saj”, ka thënë Jashari.

Sipas tij, vetë fakti që nuk ka asnjë lëvizje as pas këtij angazhimi në emër të 11 milionë anëtarëve të arsimit për tërë Evropën, tregon se greva në arsim vazhdon.