Asgjë zyrtare si u fut vaksina “Pfizer” në veri të Mitrovicës, kontrabanda sfidë për Doganën

Si pasojë e pandemisë Covid-19, të hyrat nga Dogana e Kosovës janë 130 milionë euro më pak se në vitin paraprak.

Viti 2020 kishte nis me një performancë të mirë deri në fillimin e pandemisë Covid-19 në muajin mars, ku është vërejtur edhe impakti i menjëhershëm në të hyra.

Po ashtu, edhe kontrabanda vazhdon ta sfidojë Doganën, sikur rasti i fundit me kontrabandimin nga Serbia të vaksinës “Pfizer”.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci thotë se Dogana edhe prokuroria janë duke hetuar rastin për futjen e vaksinës “Pfizer”, siç thotë ai mund të jetë importuar në mënyrë ilegale për qytetarët serb në veri të Mitrovicës.

Stavileci shton se nuk mund të japin informacione për këtë vaksinë që është futur në territorin e Kosovës pa pasur ndonjë dokument apo fakt.

“Sa i përket rastit që ju i referoheni(vaksinat antiCovid19 në veri të Mitrovicës), janë duke u zhvilluar hetimet lidhur me këtë çështje dhe nga kanë ardhur këto(vaksina). Megjithatë duhet të themi se ne kemi kufij tokësor me Serbinë mjaft të gjatë, që shpesh herë është përdorë edhe nga kontrabandistët për kontrabandimin jo vetëm të barnave, por edhe të produkteve të tjera. Në përgjithësi nëse krahasohet kontrabanda e këtij viti me vitin e kaluar ka pësuar rënie për arsye të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve gjatë natës për masat mbrojtëse nga Covid-19. Kështu që për këtë arsye është kufizuar edhe kontrabandimi. Ndonëse kjo është e ndërlidhur edhe me rënien e konsumit të produkteve që ata i kanë kontrabanduar”, thekson ai.

Ndërsa për të hyrat vjetore të Doganës në 2020, Stavileci pohon se të hyrat janë 1 miliard e 30 milionë e euro ose një rënie për 10 përqind.

“Impakti i menjëhershëm në të hyra në Doganën e Kosovës është përmbyllur në fund të vitit me minus 10 përqind më pak të hyra se viti paraprak. Në vitin paraprak… Kemi pasur 1 miliard e 200 milionë tani kemi rreth 1 miliard e 30 deri 40 milionë deri në përmbyllje të të këtij viti. Pra, kemi një rënie prej 120 deri 130 milionë, të cilat nuk kemi arrit t’i mbledhim, por këto janë si rezultat i pandemisë dhe krizën ekonomike që ka shkaktuar Covid-19”, pohon Stavilici.

Kurse, Kosova për herë të parë ka arrit të eksporton mallra në tregun evropian në vlerë prej 400 milionë euro, ndërsa vlera e importeve ka shënuar rënie për 250 milionë euro.

“Një lajm i mirë ka qenë që për herë parë sivjet kemi kaluar kufirin prej rreth 400 milionë euro vlera e eksporteve të produkteve kosovare. Shumë prodhues në disa industri kanë përparuar në listën e kompanive të cilat eksportojnë siç është industria e drurit, e cila sivjet është rendit në vendin e pestë, derisa vite më parë kanë relevante në aspektin e eksportit. Tek importet kemi një rënie të theksuar dhe si vlerë e përgjithshme e mallit që është importuar më pak është mbi 250 milionë euro”, tha ai.

Gjermania dhe shtetet evropiane mbeten vendet prej ku importohen mallra më së shumti në Kosovë. Kurse, importet nga Serbia kanë shënuar rënie në vazhdimësi në dy vitet e fundit.

“Serbia tani ka mbet një ndër importuesit e ulët. Shtetet si Gjermania, Italia dhe ato të Unionit Evropian në përgjithësi, pastaj, është Kina, Turqia, dhe vendet e CEFTA-s siç janë Shqipëria dhe Maqedonia janë vendet që ne importojmë më së shumti. Derisa në aspektin e eksportit është rritë eksporti me vendet e Unionit Evropian dhe drejt Shqipërisë”, thotë ai.

Sfidë për doganën mbetet sigurimi i të hyrave të nevojshme për buxhetin e Republikës së Kosovës.