ATK-ja në grevë, deri në orën 12 nuk ofrohet asnjë shërbim

Sindikata e Punëtorëve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) nga kjo e hënë e deri të premten do vazhdojë me grevë si pasojë e mos realizimit të kushteve të tyre.

Dyert e ATK-së në Prishtinë në mëngjesin e ditës së hënë ishin të mbyllura, dhe deri në orën 12:00 nuk do të ofrohet asnjë shërbim për tatimpaguesit.

Ata kanë paralajmëruar se nëse ende nuk ka reflektim në lidhje me kërkesat nga data 26 korrik do të vazhdohet me grevë të përgjithshme nga ora 08:00 deri në orën 16:00, raporton EO.

Arlinda Bajraj, sekretare e Sindikatës tha se deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga institucionet.

“Nga mbledhjet që i kemi pasur e kemi vendosur për orarin e kësaj jave dhe janë ashpërsuar masat nga orari që tashmë e dini, nëse nuk marrim ndonjë përgjigje ne prapë do vazhdojmë me masa edhe më të ashpra”, tha ajo.

Disa prej kërkesave drejtuar institucioneve janë: propozim ndryshimi i statusit të Administratës Tatimore të Kosovës, krijimi i kushteve të punës dhe kompensimet tjera të shpenzimeve.