Australi, Uellsi i Ri Jugor legalizon vdekjen vullnetare të asistuar

Alex Greenwich gjatë një fjalimi

Uellsi i Ri Jugor u bë shteti i fundit në Australi që miratoi projekt-ligjin për të lejuar njerëzit me sëmundje të rënda të përhershme të zgjedhin t’i japin fund jetës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vdekja vullnetare e asistuar u legalizua pasi shumica e parlamentit të shtetit votoi pro, shkruan e përditshmja Sydney Morning Herald.

Sipas raportimit, projektligji i parë u prezantua në parlament në vitin 2002, megjithatë në atë kohë deputetët rezistuan të legalizojnë aktin. Pas 20 vjetësh, projektligji i ri, i cili u prezantua nga deputeti i pavarur nga Sydney, Alex Greenwich, u miratua nga parlamenti.

Ministri i Financave i Shtetit, Damien Tudehope, i cili ishte në mesin e deputetëve që kundërshtuan projektligjin, e quajti atë një “ditë të errët” për Uellsin e Ri Jugor.

“Ishte një ditë e dhimbshme sepse ishte një mundësi për Uellsin e Ri Jugor që të thoshte ‘ne mund të jemi më të mirë se kjo’”, citohet të ketë thënë Tudehope.

Ai shtoi se vendimi i parlamentit do të gjykohet nga historia si një “gabim i tmerrshëm”.

Sipas Departamentit të Shëndetit të Australisë Perëndimore, vdekja vullnetare e asistuar në Australi është një proces për t’i mundësuar një personi të zgjedhë ligjërisht mënyrën dhe kohën e vdekjes. /aa