Ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga koha kur është dashur që Ndërmarrja e Komunës së Prishtinës “Trafiku urban” , të ketë në garazhet e veta flotën prej 51 autobusëve të rinj. Që nga koha kur është dashur që ata të arrijnë, rreth 10 herë kryetari Shpend Ahmeti i ka ndryshuar fjalët për ardhjen e autobusëve. Në çdo paraqitje publike, ai thotë se autobusët vijnë në muajin tjetër.
Tashmë prokuroria e shtetit ka bazë të mjaftueshme për të hetuar kontratën e nënshkruar nga Komuna e Prishtinës dhe kompania “Iveco” për furnizim me 51 autobusë. Kontrata deri me tash ka mbetur si “top sekret” e pa zbuluar nga Komuna.
NP “Trafiku urban” do të detyrohet të kthejë kredinë për BERZH-in (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim) nga korriku i këtij viti, ku kësti i parë do të jetë 500 mijë euro, ndonëse akoma nuk është kompletuar edhe me 21 autobusë të rinj.
Ndërmarrja “Trafiku urban” nuk është në dijeni se kur do të shkojnë në garazhet e veta autobusët e rinj.
“Dihet qe Trafiku urban është ndërmarrje komunale, edhe projekti i autobusëve të rinj është projekt i Komunës së Prishtinës, përgjigjen e saktë mund ta merrni nga Komuna”, thuhet në përgjigjen e zyrës së informimit të “Trafiku urban” për lajmi.net.
Ndërkohë, Komuna e Prishtinës refuzon të jep çfarëdo deklarate për këtë çështje për lajmi.net.
Huaja me kohëzgjatje 10 vjet, do të paguhet në dy këste në vit – secili mbi 500 mijë euro.
Në mungesë të fondeve nga ana e Ndërmarrjes, lajmi.net ka kuptuar se këstin e parë në vlerë prej 500 mijë eurove do ta paguaj Komuna e Prishtinës.
Ndërmarrja “Trafiku Urban” ka marrë një kredi në vlerë prej 10 milionë euro për blerjen e 51 autobusëve nga kompania çeke “Iveco”
Marrëveshja me kompaninë “Iveco” është nënshkruar në shtator të vitit 2016 ndërmjet Shpend Ahmetit, kryetari i Prishtinës dhe përfaqësuesit të kompaninë “Iveco”. 51 autobusët e rinj do të përdoren për trafikun urban dhe janë të standardit Euro 6.
Sipas marrëveshjes, ishte thënë se kompania “Iveco” do të sjellë autobusët e parë në dy afate: 30 autobusët e parë do të arrijnë brenda 90 ditësh (në fund të dhjetorit) kurse 21 autobusët e tjerë brenda 120 ditësh (në fund të janarit).