Ballina Artikuj Autocensura

Autocensura

Hoxhë Justinian Topulli

Që shtetarët dhe diplomatët e një vendi të vogël si Shqipëria, e vetëkontrollojnë gjuhën kur flasin në publik, duke heshtur ose duke mos i kritikuar haptazi politikat e administratës së një shteti aleat si SHBA-ja, me të cilin na lidh interesi ynë kombëtar, kjo është deri diku e kuptueshme. Por kur kjo vetëcensurë shtrihet edhe te intelektualët dhe opinionistët, prej të cilëve pritet të jenë të lirë në mendim dhe në fjalë, atëherë këtu ka diçka që nuk shkon.
Kjo sjellje tregon në fakt një autocensurë të kultivuar gjatë regjimit diktatorial komunist, e cila është kthyer në sjellje instinktive për më shumë se një brez shqiptarësh dhe rishfaqet përballë çdo të forti, për të cilin mendojmë se mund t’i mbetet hatri po e kritikuam, qoftë edhe në mënyrë të drejtë dhe objektive.
Sa herë na bie rasti të ndjekim emisione televizive, e jo vetëm, ku diskutohet sjellja politike e administratës amerikane në arenën ndërkombëtare, sidomos në zhvillimet e Lindjes së Mesme, vërehet një vetëkontroll i tepruar nga një pjesë e folësve. Në momente të caktuara duket sikur ndihen në faj, sikur po shkelin në dërrasë të kalbur, dhe druhen se mos duken antiamerikanë e, për rrjedhojë, mosmirënjohës ndaj asaj që SHBA-ja ka bërë për shqiptarët dhe Kosovën.
Të qenit gjithmonë pro politikave amerikane, në çdo rrethanë, edhe kur vetë amerikanët e pranojnë më pas se kanë gabuar, për disa është kthyer në fe dhe tabu të paprekshme. Përndryshe, etiketohesh lehtësisht si prorus, prokinez, ekstremist islamik apo proiranian.
Është e habitshme sesi një pjesë e madhe e këtyre njerëzve, në të vërtetë e duan SHBA-në vetëm për shkak të fuqisë së saj globale, dhe jo për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe lirinë që ajo u ofron qytetarëve të saj. Kjo, sepse janë po këta njerëz që deri dje, jo vetëm nuk guxonin të kritikonin pushtetin e diktaturës komuniste, por i bënin temena atij, dhe të njëjtën gjë kishin bërë dikur edhe ndaj Bashkimit Sovjetik.
Më i forti nuk kritikohet, edhe kur e ka gabim; përndryshe, quhesh kundër tij. Kjo është mendësia e skllavit, jo e individit me integritet moral dhe dinjitet njerëzor.
Ajo që e bën vërtet interesante dhe tërheqëse SHBA-në është pikërisht larmia e mendimeve dhe liria për t’i shprehur ato publikisht. Vështirë se gjen kritikë më të fortë, më të artikuluar dhe më të kthjellët ndaj politikës amerikane sesa vetë amerikanët, sidomos kur bëhet fjalë për politikën e jashtme dhe në veçanti për Lindjen e Mesme. Disa nga oponencat më të forta, më të argumentuara dhe më të ndershme që kemi dëgjuar kundër politikës së jashtme të SHBA-së, kanë ardhur pikërisht prej amerikanëve.
Dhe janë kështu, sepse ai vend i ka bërë të tillë: njerëz të lirë për të kritikuar cilindo që i qeveris gabim, pa pushuar për asnjë çast së qeni patriotë dhe amerikanë që e duan vendin e tyre.
Kjo tregon se një pjesë e mirë e opinionit tonë publik dhe intelektual vazhdon të mbetet peng i mendësisë së skllavit: të adhurojë më të fortin dhe të ketë fobi prej tij, por kurrsesi të vlerësojë më shumë demokracinë, lirinë dhe drejtësinë, si vlerat më të larta, mbi të cilat është themeluar ky i fortë.
Nesër, me shumë gjasa, do të jenë po këta njerëz që do t’i kthejnë shpinën atij, për t’u bërë skllevër të më të fortit të radhës që mund të ngrihet.