“Autoritetet greke vodhën mbi 2.3 milionë dollarë nga refugjatët dhe emigrantët”

Autoritetet greke kanë vjedhur të paktën 2.2 milionë euro (2.3 milionë dollarë) para të gatshme nga migrantët dhe refugjatët që i kanë dëbuar gjatë gjashtë viteve të fundit, sipas një hetimi nga e përditshmja spanjolle “El Pais” të publikuar sot, transmeton Anadolu.

Duke shikuar të dhënat nga organizatat joqeveritare, institucionet që lidhen me migrimin në provincën Evros, avokatët dhe burime të tjera, “El Pais” tha se shifra e vërtetë e parave të vjedhura mund të jetë “dukshëm më e lartë” pasi shumë nga dëbimet dhe grabitjet nuk janë regjistruar nga organizatat lokale.

Shuma e parave të gatshme bëhet edhe më madhe duke llogaritur dhe grabitjen e telefonave celularë si dhe sendet e tjera me vlerë si bizhuteritë, të cilat ndonjëherë janë pasuria e vetme në botë që kanë emigrantët.

“El Pais” raportoi se kjo lloj grabitjeje ishte e pazakontë në vitin 2017, por u bë një praktikë sistematike deri në vitin 2022. Gazeta spanjolle citoi të dhëna nga Komisioni Kombëtar Grek për të Drejtat e Njeriut që zbuloi se 93 për qind e migrantëve që u kthyen mbrapsht iu grabitën sendet dhe paratë e tyre në vitin 2022. Në të njëjtën kohë, 88 për qind thanë se kanë përjetuar dhunë.

“Ndonjëherë autoritetet i mbajnë telefonat celularë, ndonjëherë i shkatërrojnë. Por, ata patjetër i mbajnë paratë. Kurse nëse zbulojnë se dikush i ka fshehur paratë, zakonisht do t’i rrahin duke i ndëshkuar”, tha Hope Barker, analiste e lartë e politikave për Rrjetin e Monitorimit të Dhunës Kufitare, për “El Pais”.

Hetimi i “El Pais” identifikoi një “modus operandi” që përfshin kapjen e emigrantëve ose refugjatëve, duke ua mohuar atyre mundësinë e kërkimit të azilit dhe sjelljen e tyre në vende si stacionet e policisë, magazinat ose kazermat ushtarake, ku ata grabiten dhe trajtohen dhunshëm. Pas kësaj, ata i dërgojnë në Turqi, shpesh me gomone.

Pikërisht kështu u ka ndodhur edhe dy shtetasve kubanë që shkuan në një zyrë greke për të kërkuar azil, në një ankesë që e pranoi Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara.

“Zyrtarët po kërkonin para qartë. Burri madje donte të shikonte të brendshmet e mia”, tha Yudith Perez Alvarez, një nga kubanet, në deklaratën e saj.

“Kur ua merrni telefonat do të shlyesh çdo dëshmi se ata ishin aty. Kur ua merr paratë, ua vështirëson jetën. Kur i lë lakuriq, një tjetër trend në rritje, i poshtëron dhe demoralizon. Kjo është pjesë e një strategjie për t’i larguar ata nga përpjekjet për t’u kthyer përsëri në Greqi”, tha Eva Cosse nga Human Rights Watch për “El Pais”.