Avionët italianë të NATO-s inaugurojnë Bazën e Kuçovës, shfaqen edhe helikopterët Black Hawk

Hapja e bazës ajrore taktike në Kuçovë u mbyll me një fluturim të avionëve luftarak italian të NATO-s dhe nga helikopterët e Ushtrisë Shqiptar Black Hawk, që u ndoq nga të pranishmit.

Kjo bazë do të shërbejë si qendër për aktivitetet e Forcës sonë Ajrore, duke ofruar infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës.

Punimet për rikonstruksionin e saj nisën në janar të vitit 2022. Prej asaj kohe është punuar për sistemin e rrethimit dhe të sigurisë e po ashtu të mbrojtjes në perimetrin ku shtrihet kjo bazë.

Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë investuar nga qeveria shqiptare. Autoritetet shqiptare kanë marrë përsipër ndërtimin e perimetrit të sigurisë dhe rrugëve lidhëse, ndriçimit, vendosjen e kamerave të sigurisë së bazës si dhe të sensorëve të zbulimit të ndërhyrjeve përgjatë rrethimit të bazës.

Baza ajrore e Kuçovës ishte pjesë e bisedimeve dypalëshe mes kryeministrit Rama dhe sekretarit Amerikan të shtetit Anthony Bliken.

Shefi diplomacisë amerikane deklaroi se kjo bazë do të ketë ndihmën e të gjithë vendeve partnere në NATO për pajisjen e saj me teknologjinë më të fundit.