Azerbajxhani i dorëzon Armenisë edhe 95 trupa të ushtarëve armenë

Azerbajxhani i dorëzoi Armenisë edhe 95 trupa të tjerë të ushtarëve armenë që kanë vdekur në konfliktet në kufi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga autoritetet e Azerbajxhanit theksohet se po kërkohen trupat e ushtarëve armenë që kanë mbetur në zonë pasi kanë humbur jetën në rajonin ku janë shënuar konfliktet më 12-14 shtator.

Në deklaratë informohet se 95 trupat e ushtarëve armenë i janë dorëzuar Armenisë nëpërmjet Organizatës së Kryqit të Kuq, pasi u ekzaminuan nga punonjësit e Prokurorisë Ushtarake të Azerbajxhanit dhe pasi u përcaktua se në trupa nuk janë gjetur shenja dhune.

Ndër të tjera vihet në dukje se do të vazhdojë procesi për dorëzimin e trupave të ushtarëve armen.

Azerbajxhani më parë më 17 shtator i dorëzoi Armenisë 32 trupa.

– Konfliktet në kufirin Azerbajxhan-Armeni

Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit njoftoi se konflikti filloi si pasojë e provokimit në përmasa të gjera në drejtim të rajoneve Dashkasan, Kalbajar, Lachin dhe Zangilan të Azerbajxhanit në natën e 12 shtatorit nga forcat armene.

Si rezultat i kontakteve diplomatike, u njoftua se Azerbajxhani dhe Armenia u dakorduan për armëpushim lidhur me konfliktin i cili është më i madhi pas Luftës së Dytë të Karabakut.

Azerbajxhani njoftoi se 80 ushtarë të tij humbën jetën gjatë përleshjeve, ndërsa Armenia bëri të ditur se 207 ushtarë armenë humbën jetën. /aa