Bajoku pas fitores ndaj boksierit të Serbisë: Më motivoi situata në veri

Shpëtim Bajoku njihet si boksier shumë i motivuar. Të mërkurën kishte motiv shtesë për të dalë triumfues nga ringu.

Triumfues edhe doli në hapje të Kampionatit Ballkanik në Albena të Bullgarisë. Në meçin e kategorisë deri 67 kilogramë, Bajoku “shkatërroi” boksierin nga Serbia, Semiz Aliçiq.

Bajoku thotë se ishte i motivuar ta fitonte meçin ndaj boksierit serb pas situatës së fundit në veri.

“Nga momenti kur mësova kundërshtarin, isha i emocionuar e po ashtu ndjeva edhe presion, sepse nuk e dija se si do të kaloja përballë serbit. Situata në veri më bëri më të fuqishëm që unë ta fitoja luftën ndaj serbit. Dëshira ishte e madhe ta fitoja këtë luftë ndaj boksierit serb. Ia dola për mrekulli me fuqinë që na ka dhënë Zoti. Triumfi ndaj serbit më bëri të ndihem sikur kam fituar medaljen e artë”, ka thënë Bajoku për KOHËN, pak pas meçit në kompleksin bregdetar në Bullgari.

Bajoku ishte dukshëm më i mirë në tri raundet. Dha goditje të vazhdueshme e pranoi fare pak.

Pasi gjyqtari i ringut shpalli kosovarin fitues, boksieri serb bëri veprim antisportiv. Ai nuk ia zgjati dorën boksierit të Kosovës.

“Nuk ishte gjest i mirë nga ana e tij, por unë jam sportist dhe politikën nuk e përfshij në sport. Jam i lumtur që fitova këtë luftë. Ne vazhdojmë fuqishëm përpara. Aq më shumë që nuk na flasin serbët, ne ndihemi më të fortë”, është shprehur Bajoku, boksieri më i mirë në Kosovë.

Bajoku e kishte mposhtur Aliçiqin edhe në qershor në një turne në Kumanovë. Boksieri nga Ukraina, Yaroslav Mykhalushko, është kundërshtari i radhës i Shpëtim Bajokut. Lufta në mes të Bajokut dhe boksierit nga Ukraina do të zhvillohet të shtunën dhe i takon gjysmëfinales së Ballkanikut. Finalja është më 3 tetor. Gjithsej në kategorinë e Bajokut janë gjashtë boksierë.

“Synimi im është ta fitoj edhe luftën e radhës, pastaj të vazhdoj rrugëtimin në finale dhe në fund ta fitoj medaljen e artë. Fitorja ndaj serbit më ka motivuar shumë. Për punën me mua i falënderoj trajnerin Besim Brahimi, Sami Kryeziun, Bekim Gecin dhe Latif Demollin”.

Bajoku vjet fitoi medalje të bronztë në Lojërat Mesdhetare në Oran të Algjerisë. Falë asaj medaljeje u shpall sportisti më i mirë në Kosovë për vitin 2022, nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

Bajoku është anëtar i klubit Gollaku. Ka disa vjet që vlerësohet boksieri më i mirë në Kosovë. Një prej ëndrrave të 23-vjeçarit është që një ditë të fitojë medalje në Kampionatin Botëror të boksit amator. Ka ëndërr të arrijë sukses edhe në Lojërat Olimpike.

“Jam i fokusuar të mbylli me sukses Ballkanikun, pastaj të mendoj për garat e tjera kualifikuese për Lojërat Olimpike. Sigurisht se synimet i kam shumë të mëdha. Por të gjitha synoj t’i arrij hap pas hapi”, është shprehur Bajoku.

Të mërkurën në ring u ngjit edhe Laurit Murati. Ai pësoi disfatë në luftën e parë. Murati, që bokson në kategorinë deri në 60 kilogramë, pësoi nga boksieri rumun, Iulian Barsnescu.

Në ditët e ardhshme në Ballkanik do të paraqiten edhe vëllai i Shpëtimit, Bashkim Bajoku, pastaj Loris Idrizi, Patriot Behrami, Taulant Jakupi dhe Donjeta Sadiku. Edhe nga Sadiku janë pritjet e mëdha.