Ballkan historik, Dinamo shkatërrohet në “Fadil Vokrri”

Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani ka marrë një fitore të madhe në Ligën e Konferencës. Për Ballkanin, kjo është fitorja e parë këtë edicion në fazën e grupeve dhe atë ndaj favoritit kryesor për të avancuar nga Grupi C. Ballkani, të enjten mbrëma ishte i mahnitshëm duke e mposhtur ekipin e madh nga Kroacia, Dinamon e Zagrebit. Ndeshja e luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku të pranishëm ishin një numër i madh shikuesish, Ballkani triumfoi me rezultatin 2:0. Një gol në fund të pjesës së parë, dhe një tjetër në fund të pjesës së dytë, ia siguruan Ballkanit pikët e para këtë edicion në Ligën e Konferencës. Ka tubuar tri pikë, sa i ka edhe Dinamo Zagrebi, që para dy javësh triumfoi 5:1 ndaj Astanas së Kazakistanit. Grupit i prinë, Viktoria Plzeni me gjashtë pikë.

Ekipi nga Çekia pas fitores ndaj Ballkanit (1:0), të enjten mbrëma e mposhti edhe Astanan (2:1), që është ekipi i vetëm pa pikë në grup. Për Dinamon, kjo është humbja e dytë rresht brenda pak ditëve, pasi në vikend pësoi humbje edhe nga Hajduku i Splitit në derbin e madh të Kroacisë. Në fakt, Ballkani ishte dukshëm ekip më i mirë në fushë se Dinamo, që pothuajse nuk rrezikoi fare portën e Enea Koliçit. Ballkani ishte më dominues edhe sa i përket posedimit të topit, ndërsa vazhdimisht sulmonte dhe tentonte raste shënimi, kryesisht nëpërmjet Lorenc Trashit dhe Armend Thaqit në krahë. Para se të zhbllokohej rezultati i takimit, Ballkani tentoi që nëpërmjet gjuajtjeve nga distanca ta befasojë portierin e ekipit kroat. Fillimisht, gjuajtja e Trashit (18’) nuk ishte e saktë, ndërsa tentimin e plogësht të Almir Kryeziut pa telashe e priti portieri i Dinamos. Sinjalin më të fortë për Ballkanin e dha kapiteni Edvin Kuç. Mesfushori në minutën e 35-të, gjuajti fort nga më shumë se 25 metra, por topi shkoi jashtë porte. Në minutën e 44-të, Ballkani kaloi në epërsi. Ishte Almir Kryeziu, ai që shënoi gol fantastik. Kryeziu mori top nga krahun e djathtë nga Qëndrim Zyba dhe me t’u futur në zonë e tundi rrjetën e Dinamos. Fillimisht, goli i Kryeziut u anulua nga arbitri kryesor për pozitë jashtë loje.

Mirëpo, pak minuta më vonë, sistemi VAR e përmirësoi gabimin pas rishikimit dhe konfirmoi si të rregullt golin e Kryeziut. Me epërsinë prej një goli, përfundoi edhe pjesa e parë. Ballkani nuk i dali sulmet as në pjesën e dytë, duke e kërkuar edhe golin e dytë për t’i dhënë fund dilemës së fituesit. E këtë e arriti në minutën e 84-të. Sulmuesi algjerian, Ëalid Hamidi që u inkuadrua në minutën e 65-të në vend të Albin Berishës, shënoi golin e qetësisë dhe tri pikëve. Hamidi përfitoi nga një gabim i mbrojtësit të Dinamos dhe pasi mori topin, u fut në zonë dhe nga afërsia mposhti për herën e dytë, portierin Ivan Nevistiq. Ndeshjen e radhës në Ligën e Konferencës, Ballkani e luan më 26 tetor. E pret në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë skuadrën e Astanas që ka dy humbje në po aq ndeshje të luajtura në grup.