Ballkani kampion i Kosovës në futboll për sezonin 2021/22

Ballkani nga Suhareka është shpallur kampion i Kosovës për sezonin 2021/22.

Ndeshja e zhvilluar mes Dritës dhe Gjilanit është mbyllur pa gola, duke bërë që matematikisht Ballkani të shpallet kampionit.

Suharekasit kanë 70 pikë, 11 më shumë se Gjilani që është i dyti, duke bërë që e ndeshjet e mbetura të mos mund ta zënë me pikë.

Kjo është hera e parë që Ballkani shpallet kampion në histori të futbollit të Kosovës.

Klubi që udhëhiqet nga presidenti Arsim Kabashi-Cima, kishte për trajner Ilir Dajën në stinorin pranveror, pasi në vjeshtë ishte Bekim Isufi.

Klubi kishte mbledhur afër vetës disa nga yjet e futbollit vendor, si Blend Baftiu, Armend Thaqi, Rustem Hoxha, Arbër Potoku, Bajram Jashanica, Meriton Korenica, Kushtrim Gashi, Ermal Krasniqi, Nazmi Gripshi dhe Mevlan Zeka.

Gara për vendin e dytë mbetet e hapur, mes Gjilanit, Dritës dhe Llapit.