Barcelona eliminohet nga Liga e Kampionëve që në fazën e grupeve

Bayern Munich ka arritur ta mposht Barcelonën me rezultat 3-0 në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve.

Bavarezët që e kishin siguruar pozitën e parë në grup nuk kalkuluan, pasi Julian Nagelsmann vendosi të futej me formacionin më të mirë në fushë, sikurse Barcelona që bëri njëjtë pasi i duhej medoemos fitorja për të kaluar grupin.

Gjysma e pjesës së parë ishte e barabartë me Barcelonën që ishte rival i denjë për Bayernin.

Por në minutën e 34-të, Bayern Munich me rastin e parë serioz arriti të shënojë.

Robert Lewandowskin nisi një sulm, ku polaku u fut në zonë dhe asistoi për Thomas Muller që shënoi me kokë për 1-0.

Ishte teknologjia e vijës së portës që e konfirmoi se topi ka kaluar vijën.

Bavarezët gjetën golin e dytë në minutën e 43-të, ku Kingsley Coman asistoi te Leroy Sane që shënoi për 2-0 që me një predhë nga distanca mposht Ter Stegenin.

Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ku Barcelonës iu bë me dije se fitorja në “Allianz Stadium” mund të arrihet vetëm në ëndrra.

Edhe pjesa e dytë nisi më mirë për bavarezët që rrezikuan me Sanë që në start, por pa sukses pasi Ter Stegen ishte në vend.

Goli që mbylli çdo dilemë u shënua në minutën e 62-të, kur Alphonso Davies asistoi te Jamal Musiala që shënoi për 3-0.

Rezultati ka mundur të jetë edhe më i lartë, por Sane në fundin e ndeshjes humbi edhe një rast të mirë.

Bayern Munich e mbyll grupin me të gjitha fitore (18 pikë), ndërsa nga vendi i dytë kalon tutje Benfica.

Barcelona mbetet në pozitën e tretë dhe do të luajë në Ligën e Evropës.