Barcelona shkatërron Osasunan

Barcelona po vazhdon me ecuri pozitive, pasi ka shënuar një tjetër fitore bindëse, atë 4-0 ndaj Osasunas në kuadër të javës së 28-të në La Liga.

Pas vetëm 14 minutash lojë, katalunasit kaluan në epërsi me anë të Ferran Torres që shënoi nga penalltia.

Ferran (21’) ishte edhe një herë në listën e realizatorëve, duke shënuar për 2-0 me një asistim të Ousmane Dembeles.

Vetëm gjashtë minuta më vonë, radha për të shënuar i erdhi edhe Pierre-Emerick Aubameyangut, që përfitoi nga një asistim i Dembeles.

Në 45 minutat e dytë, Barcelon dukej më e relaksuar dhe ia doli të shënonte edhe një herë tjetër.

Ishte minuta e 74-të e takimit, kur Riqui Puig shënoi për 4-0, duke e vulosur rezultatin e kësaj mbrëmje.

Pas javës se 28-të, Barcelona gjendet në vendin e tretë me 51 pikë, ndërsa në xhiron e 29-të zhvillohet El Clasico, me Real Madridin që është lider me 63 pikë.