BE bën publike agjendën e 2 majit – Fillimisht diskutohet për personat e pagjetur, më pas vie radha e Asociacionit

Joseph Borrell do të thërrasë të martën (2 maj) një takim të nivelit të lartë në Bruksel si pjesë e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Siç informoi BE, konfirmuan pjesëmarrjen e tyre.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, me mbështetjen e Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajčák do të zhvillojë një takim të përbashkët me liderët, duke filluar nga ora 18:00.

Takimi do të fokusohet në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Palët pritet të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi/diskutimi mbi draft-statutin e parë të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe në Kosovë. Palët do të kenë gjithashtu mundësinë të diskutojnë çështje aktuale me rëndësi politike.”, u bë e ditur në komunikatë.

Përfaqësuesi i Lartë, Joseph Borrell do të bëjë një deklaratë për media në fund të takimit në ndërtesën e EEAS.