BE dënon sulmin e policisë izraelite ndaj kortezhit të gazetares së vrarë

Josep Borrell tha se BE dënon “përdorimin joproporcional të forcës dhe sjelljen mosrespektuese” të policisë izraelite kundër pjesëmarrësve

Bashkimi Evropian (BE) dënoi “përdorimin joproporcional të forcës” nga policia izraelite gjatë ceremonisë së varrimit të gazetares së vrarë të Al Jazeera-s, Shireen Abu Akleh, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Bashkimi Evropian është i tmerruar nga skenat që publikohen” në kortezhin e Abu Akleh në Kudsin Lindor të pushtuar, tha në një deklaratë shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Ai pohoi se BE dënon “përdorimin joproporcional të forcës dhe sjelljen mosrespektuese” të policisë izraelite kundër pjesëmarrësve.

Borrell theksoi gjithashtu se është “respekt minimal njerëzor” të lejosh një lamtumirë paqësore “pa ngacmim dhe poshtërim”.

Ai përsëriti thirrjen e BE-së për një “hetim të plotë dhe të pavarur” për vdekjen e gazetares Abu Akleh.

Mijëra palestinezë morën pjesë në funeralin e gazetarit palestinezo-amerikane.

Sipas deklaratës së Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, policia izraelite përdori shok-bomba, gaz lotsjellës dhe shkopinj policie kundër pjesëmarrësve në kortezh, duke shkaktuar dhjetëra të plagosur.

Gazetarja mbulonte një sulm ushtarak izraelit pranë kampit të refugjatëve Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar kur u qëllua për vdekje të mërkurën.

Zyrtarët palestinezë dhe rrjeti Al Jazeera me bazë në Doha thanë se ajo ishte qëlluar nga forcat izraelite. /aa