BE dhuroi 5.5 milionë euro ndihmë humanitare për Turqinë ndërsa 10 milionë euro për Sirinë

Ndihma humanitare të cilën Bashkimi Evropian (BE) e ka dhënë për të prekurit nga tërmetet në Turqi deri më tani ka arritur në 5.5 milionë euro, transmeton Anadolu.

Komisioni Evropian (KE) dha një deklaratë në lidhje me ndihmën humanitare që BE-ja ka mobilizuar deri më tani për të prekurit nga tërmeti në Turqi dhe Siri.

Në deklaratë thuhet se BE-ja ka ndërmarrë veprime që nga dita e parë dhe ka shtuar ndihmat për viktimat e tërmetit. Më tej theksohet se 18 anëtarë të BE-së dërguan materiale strehimi, ngrohës, gjeneratorë, mobilje, pajisje mjekësore, pajisje higjienike, ushqime dhe veshje për në Turqi.

Përveç kësaj, Belgjika, Franca, Italia dhe Shqipëria dërguan ekipe mjekësore ndërsa Holanda dërgoi një avion evakuimi mjekësor.

Gjithashtu bëhet e ditur se 2 mijë tenda dhe 8 mijë shtretër në kuadër të programit të emergjencës së BE-së i janë dorëzuar Turqisë dhe se 500 njësi akomoduese me 2.500 shtretër janë nisur nga Suedia.

Shuma e përgjithshme e ndihmave humanitare të mobilizuara nga BE-ja për plotësimin e nevojave të viktimave të tërmetit në Turqi u regjistrua si 5.5 milionë euro, nga të cilat 3.2 milionë euro janë transferuar nga fondet e reja dhe 2.3 milionë euro janë transferuar nga projektet e vazhdueshme të ndihmës humanitare.

– 10 milionë euro ndihmë për të prekurit e tërmeti në Siri

Shuma totale e ndihmave humanitare të BE-së për të prekurit nga tërmetet në Siri arrrin në 10 milionë euro.

Avioni i parë me ndihmat humanitare të BE-së të dërguar nga Dubai do të ulet sot në Adana dhe ndihmat do të transferohen prej aty në Siri nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM).

Është raportuar se javën e ardhshme do të dërgohen dy avionë të tjerë, në mënyrë që materialet si tenda, ngrohës, komplete kuzhine, komplete higjienike të përshtatshme për kushtet e dimrit të dërgohen në Siri me tre fluturime nën koordinimin e Irlandës.

12 vende evropiane dërguan ndihma në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së për sirianët. Ndihma do të dërgohet nga qendrat në Bejrut dhe Gaziantep. Sot në Bejrut do të mbërrijë edhe një anije me tenda nga Italia.