Bashkimi Evropian ka dërguar ndihmë urgjente në Venezuelë pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën vendin më 24 qershor, duke shkaktuar viktima dhe dëme të konsiderueshme, tha sot Komisioni Evropian, transmeton Anadolu.
Tetë vende anëtare të BE-së – Republika Çeke, Spanja, Italia, Franca, Luksemburgu, Gjermania, Portugalia dhe Holanda, kanë mobilizuar mbështetje përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, përfshirë ekipet e shpëtimit, personelin mjekësor dhe pajisjet, sipas një deklarate.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen shprehu solidaritetin me Venezuelën, duke thënë se blloku qëndron me vendin “në këtë kohë të tragjedisë dhe katastrofës së madhe”.
“Venezuela nuk është vetëm”, tha ajo. Më shumë se 520 reagues emergjencash nga shtetet anëtare pjesëmarrëse janë mobilizuar deri më tani. Italia po dërgon një ekip mjekësor ndërsa Luksemburgu po ofron pajisje telekomunikacioni, strehim dhe energji.
BE-ja ka aktivizuar gjithashtu shërbimin e saj satelitor “Copernicus” në modalitetin e hartës emergjente për të mbështetur përpjekjet e ndihmës në terren. “Copernicus” përdor imazhe satelitore dhe të dhëna gjeohapësinore për të ndihmuar autoritetet që të përgjigjen ndaj fatkeqësive natyrore dhe krizave humanitare në mbarë botën.
Komisioni Evropian tha se mbetet i gatshëm të ofrojë mbështetje shtesë sipas zhvillimit të situatës. Numri i të vdekurve nga dy tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën është rritur në 589 ndërsa numri i të plagosurve ka arritur në 2.980, deklaroi sot presidentja në detyrë e Venezuelës, Delcy Rodriguez.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në të gjithë vendin ndërsa autoritetet kanë frikë se numri i viktimave dhe të plagosurve mund të rritet më tej.



