Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka bërë të ditur se liderët e Bashkimit Evropian (BE) nuk arritën marrëveshje për përdorimin e drejtpërdrejtë të aseteve të ngrira ruse për financimin e Ukrainës, duke u pajtuar në vend të kësaj për një paketë huamarrjeje prej 90 miliardë eurosh (105 miliardë dollarë) nga BE-ja për të mbuluar nevojat financiare të Kievit për dy vitet e ardhshme, transmeton Anadolu.
Duke folur pas një takimi të Këshillit Evropian, Von der Leyen tha se shtetet anëtare kishin rënë dakord të mbledhin 90 miliardë euro përmes huamarrjes së BE-së në tregjet e kapitalit për vitet 2026 dhe 2027, por pranoi se nuk u arrit konsensus për përdorimin e vetë aseteve të imobilizuara ruse.
“Supozimi im është se nuk do të kishim pasur guximin apo momentumin politik për të imobilizuar përgjithmonë asetet ruse”, tha ajo. Von der Leyen tha se para vendimit të javës së kaluar, ngrirja e aseteve duhej të rinovohej çdo gjashtë muaj, duke e lënë atë të cenueshme ndaj një vetoje të vetme.
“Çdo gjashtë muaj, ekzistonte kërcënimi që vetëm një shtet anëtar të mos binte më dakord për sanksionet. Me mosrinovimin e sanksioneve, asetet e ngrira ruse do të ishin zhdukur”, tha Von der Leyen.
“Tani ato janë të siguruara përgjithmonë dhe mund të mobilizohen sërish vetëm me shumicë të kualifikuar”, shtoi ajo. Pavarësisht këtij hapi, liderët nuk ranë dakord të përdorin vetë asetet për të financuar Ukrainën. Në vend të kësaj, vendet anëtare miratuan huamarrjen e BE-së të mbështetur nga hapësira buxhetore, e kombinuar me një mekanizëm të kushtëzuar të shlyerjes.
“Ukraina duhet t’i shlyejë kreditë vetëm nëse Rusia paguan reparacione. Nëse kjo nuk ndodh, Ukraina nuk duhet t’i shlyejë kreditë”, tha presidentja e KE-së.
Ajo theksoi unitetin e vazhdueshëm të BE-së pavarësisht shqetësimeve për lodhjen.
“Sot, për shembull, patëm rinovimin e sanksioneve. 19 paketa sanksionesh u rinovuan, unanimisht”, tha ajo duke e quajtur mbresëlënëse, mbështetjen e bllokut për Ukrainën gjatë gati katër viteve të luftës, që filloi në shkurt të vitit 2022.
Duke komentuar vendimin e Këshillit Evropian për të ofruar 90 miliardë euro për Kievin, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy shprehu mirënjohje ndaj liderëve të BE-së, duke e quajtur këtë hap “mbështetje të rëndësishme që forcon vërtet qëndrueshmërinë tonë”.
“Është e rëndësishme që asetet ruse të mbeten të imobilizuara dhe që Ukraina të ketë marrë garanci sigurie financiare për vitet në vijim. Faleminderit për rezultatin dhe për unitetin. Së bashku, po mbrojmë të ardhmen e kontinentit tonë”, tha Zelenskyy në platformën sociale të kompanisë amerikane X.


