Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se ndihma do të bëhet nga buxheti i BE-së, ndërsa paralajmëroi se “ka edhe më shumë për të ardhur”
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se do t’i sigurojnë 500 milionë euro ndihmë humanitare Ukrainës, e cila është në luftë me Rusinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Von der Leyen, zhvilloi një konferencë të përbashkët me presidentin e Rumanisë, Klaus Iohannis, gjatë vizitës së saj në këtë vend.
Duke theksuar se do të vazhdojnë mbështetjen e tyre për popullin ukrainas, aj tha se kësaj i është shtuar edhe ndihma humanitare prej 500 milionë eurosh.
Sipas saj, ndihma do të bëhet nga buxheti i BE-së, ndërsa paralajmëroi se “ka edhe më shumë për të ardhur”.
BE, në ditët e kaluara kishte njoftuar se do t’i ofrojë Ukrainës një ndihmë ushtarake në vlerë prej 500 milionë eurosh.
Von der Leyen u pyet lidhur me aplikimin e Ukrainës për anëtarësim në BE. Ajo tha se dhënia e statusit të kandidatit këtij vendi do të jetë temë e liderëve të vendeve të BE-së, ndërsa shtoi se “Prioriteti ynë është përfundimi i luftës”.
Ajo gjithashtu paralajmëroi ndihmë humanitare dhe mjekësore për Moldavinë dhe ngritjen e qendrës së mbrojtjes civile në Rumuni, për personat që janë strehuar në vendet fqinje duke ikur nga lufta në Ukrainë.
Mund të vijnë sanksione shtesë
Presidentja e Komisionit Evropian rikujtoi se BE-ja deri më tani ka zbatuar 3 pako të sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, duke shtuar se “Nëse situata përkeqësohet do të hedhim hapa shtesë”.
Ajo theksoi se synimi i tyre është të ulin kapacitetin e luftimit të Kremlinit me fqinjët e tij, ndërsa tha se sanksionet aktuale kanë filluar të ndikojnë negativisht ekonominë ruse.
“Duhet të jemi të pavarur nga gazi, nafta dhe qymyri i Rusisë”, tha Von der Leyen, duke vënë në dukje se BE-ja është e vendosur të diversifikojë furnizimin e saj me energji. /aa





