BE-ja e gatshme të mbrojë Finlandën dhe Suedinë në rast të një sulmi rus

Joseph Borrell

Bashkimi Evropian është i gatshëm të mbrojë Finlandën dhe Suedinë në rast të një sulmi nga Rusia, sipas shefit të politikës së jashtme të bllokut.

Joseph Borrell përshëndeti vendimin e dy vendeve nordike për të aplikuar për anëtarësim në NATO, gjatë një takimi të Ministrave të Mbrojtjes të Evropës, të martën në Bruksel.

Kur u pyet nga gazetarët nëse neni i BE-së për mbrojtjen e vendeve të BE-së do të aktivizohej në rast të një sulmi ndaj Finlandës dhe Suedisë, Borrell e pohoi.

“Nëse një shtet sulmohet në territorin e tij, nëse ka një sulm të armatosur kundër një shteti anëtar të BE-së, ky shtet mund t’u kërkojë të tjerëve ta ndihmojnë. Dhe të tjerët janë të detyruar ta bëjnë këtë me të gjitha mjetet që kanë”, tha Borrell.

Mbretëria e Bashkuar gjithashtu ofroi garanci sigurie për Finlandën dhe Suedinë për vendimin për të aplikuar në NATO, javën e kaluar.

BE thotë gjithashtu se do të sigurojë 500 milionë euro mbështetje financiare për ushtrinë e Ukrainës, duke e çuar vlerën totale të fondeve të përgjithshme ushtarake për Ukrainën në 2 miliardë euro.

Paratë sigurohen nëpërmjet Fondit Evropian të Paqes, dhe me të, Ukraina mund të blejë armë dhe pajisje ushtarake për luftën kundër pushtimit rus. /euronews