“BE-ja po e humb durimin me Kosovën e Serbinë”

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka deklaruar se vendet e BE-së janë duke e humbur durimin përballë situatës së tensionuar në veri të Kosovës, transmeton Anadolu.

Në një konferencë për media në Bruksel bashkë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, shefi i politikës së jashtme i BE-së tha se Kosova dhe Serbia kanë marrë propozim për zgjidhje urgjente të situatës.

Borrelli ka falënderuar kryeministrin shqiptar për “përpjekjet e tij për uljen e tensioneve”.

“Palët duhet të gjejnë zgjidhje përpara bazuar në udhërrëfyesin evropian që u është propozuar në tavolinë javën e kaluar. Jemi pajtuar që kërkohen lëvizje të shpejta, ulje e tensioneve dhe zgjidhje urgjente dhe vendet anëtare kanë pajtim për këtë urgjencë dhe janë duke e humbur durimin ndaj situatës që po vazhdon të përshkallëzohet dhe kërkohen veprime të menjëhershme”, tha Borrell.

Kryeministri Rama, nga ana e tij, tha se është gëzuar që më në fund është bërë lirimi i tre policëve kosovarë nga autoritetet serbe dhe se “tani është koha për një de-eskalim dhe kjo duhet të ndodhë menjëherë dhe po bëhet gjithnjë e më urgjente”.

KFOR: Dialogu e vetmja mënyrë për stabilitet afatgjatë

Gjithashtu edhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka reaguar duke theksuar se dialogu i lehtësuar nga BE-së është e vetmja mënyrë për të arritur “stabilitet afatgjatë dhe të pakthyeshëm, si dhe për të ulur tensionet në veri të Kosovës”.

KFOR-i nëpërmjet një njoftimi tha se mirëpret përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të kthyer Kosovën dhe Serbinë në dialogun për normalizimin e raporteve.

“Ftojmë të gjitha palët që të bashkohen për uljen e tensioneve dhe të përmbahen nga veprimet provokuese që janë kundër interesit të të gjithë njerëzve në Kosovë”, u tha në njoftimin e KFOR-it.

Ky mision tha se po vazhdon kontaktet dhe koordinimin me të gjithë bashkëbiseduesit lokal dhe ndërkombëtar, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, Misionin e BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), me misionin e Kombeve të Bashkuara UNMIK, me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë.

Gjatë ditës, Policia e Kosovës njoftoi se në orët e mbrëmjes është sulmuar me granata dore objekti i komunës së Mitrovicës së Veriut.

Policia e Kosovës gjuajtjen me granata dore, e cila shkaktoi disa dëme materiale në veturat zyrtare, e quajti “akt terrorist”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Serbisë që “menjëherë t’i ndalë nxitjet për dhunë, para se të ketë humbje jete”.

Situata në katër komunat veriore të Kosovës është tensionuar që nga fillimi i protestave të qytetarëve serbë atje më 26 maj. Përfaqësues të BE-së kanë kërkuar mbajtje të zgjedhjeve të reja lokale në këto komuna, si mënyra e vetme e daljes nga tensionet.