BE-ja pret hetim të thelluar për skandalin e përgjimeve në Greqi

Zëdhënësja e Komisionit të BE-së, Anitta Hipper, ka theksuar se nëse konfirmohet, është e papranueshme që agjencitë kombëtare të inteligjencës në vendet e BE-së të përgjojnë qytetarët, veçanërisht gazetarët dhe kundërshtarët politikë

Komisioni i Bashkimit Evropian (BE) ka njoftuar se pret që të gjitha akuzat të hetohen në thellësi nga qeveria greke në skandalin që shpërtheu pas përgjimit të telefonave të kreut të partisë opozitare dhe një gazetari, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësja e Komisionit të BE-së, Anitta Hipper, iu përgjigj pyetjeve në lidhje me skandalin e përgjimeve që çoi në dorëheqjen e kreut të agjencisë së inteligjencës dhe sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë pas telefonave të përgjuar të kreut të ri të partisë opozitare PASOK dhe deputeti i Parlamentit Evropian, Nikos Andrulakis dhe gazetarit grek, Thanasis Koukakis.

Ajo ka theksuar se nëse konfirmohet, është e papranueshme që agjencitë kombëtare të inteligjencës në vendet e BE-së të përgjojnë qytetarët, veçanërisht gazetarët dhe kundërshtarët politikë.

“Shtetet anëtare kanë autoritetin për të mbrojtur sigurinë e tyre kombëtare dhe duhet të mbikëqyrin dhe kontrollojnë agjencitë e tyre të sigurisë për të garantuar mbrojtjen e të drejtave themelore. Mbrojtja e të dhënave personale, siguria e gazetarëve dhe liria e shprehjes janë gjithashtu të një rëndësie absolute. Është përgjegjësi e shteteve anëtare të BE-së të hetojnë incidente të tilla. Komisioni Evropian pret që çdo akuzë të hetohet tërësisht dhe të krijohet besimi i qytetarëve”, tha Hipper.

Thirrje Europolit dhe Prokurorisë së BE-së

Pas shpërthimit të skandalit në Greqi, për ngjarjen reaguan edhe disa deputetë të Parlamentit Evropian, të cilët kërkuan ndërhyrjen e institucioneve të BE-së.

Holandezja Sophie in ‘t Veld, një nga parlamentaret me ndikim, deklaroi se nëse situata shihet si një problem ndërkombëtar, siç pretendon qeveria greke, Europol dhe Prokuroria e BE-së duhet të ndërhyjnë dhe të hetojnë incidentin.

Ajo njoftoi se do të përgatiste një rekomandim për këtë çështje.

Do të mblidhet Komisioni parlamentar

Parlamenti Evropian në ditët në vijim do të zhvillojë edhe takime për skandalin në Greqi.

Komiteti hetimor parlamentar i formuar më parë për përdorimin e spyware Pegasus dhe të ngjashme do të mbajë një seancë dëgjimore më 30 gusht për të dëgjuar gazetarin grek, Thanasis Koukakis.

Në ditët në vijim pritet që të mbahet një seancë tjetër ku do të dëgjohet Andrulakis.

Skandali që tronditi Greqinë

Duke përdorur shërbimin special të Parlamentit Evropian, kreu i PASOK-ut, Andrulakis, kontrolloi telefonin për spyware më 28 qershor. Në ekzaminimin e parë të telefonit u zbulua një lidhje e dyshimtë në lidhje me spyware-in e quajtur “Predator”.

Në muajin prill, spyware u zbulua edhe në celularin e gazetarit grek, Kukakis. Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI) deklaroi se celulari i Kukakis u gjurmua me spyware të quajtur “Predator” për 10 javë në vitin 2021.

Pas këtyre ngjarjeve, kreu i Organizatës Kombëtare të Inteligjencës Greke (EYP), Panagiotis Kontoleon, më 5 gusht i paraqiti dorëheqjen kryeministrit Kyriakos Mitsotakis për shkak të “pakujdesit” në aktivitetet e dëgjimit të agjencisë.

Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrit, Grigoris Dimitriadis, i cili dyshohej se kishte marrëdhënie tregtare me spyware-in e quajtur “Predator” dhe që ishte edhe nipi i Mitsotakis, në të njëjtën ditë u largua nga posti. /aa