BE-ja tregon nëse aksioni i fundit në veri mund të ketë ndikim për heqjen e masave

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimi Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseb Borrell ende nuk e ka përfunduar raportin për heqjen e masave ndaj Kosovës, i cili më pas do të shqyrtohet nga Këshilli Evropian ku edhe do të merret vendimi.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se raporti është duke u finalizuar.

Ai duke folur për vendosjen masave për shkak të “hapave të pakoordinuar” nga Qeveria e Kosovës, ka thënë se çdo veprim që merret e që ka ndikim në tensionim të situatës do të shqyrtohet, kur është pyetur nëse aksioni i fundit në veri do të ketë ndikim që Kosovë të mos i hiqen masat.

“Masat ishin prezantuar si përgjigje e hapave të pakoordinuar dhe unilaterale që çonin në më shumë përshkallëzim dhe nuk ndihmonin në depërshkallëzim. U prezantuan me qëllimin që t’i motivonin autoritetet e Kosovës të punonin në depërshkallëzim dhe çdo gjë që ndodh në terren që ka të ndikim negativ në përpjekjet që çojnë në depërshkallëzim po merret parasysh dhe do të përfshihet në raport”, ka thënë Stano të hënën në konferencën për media.

Pas procesit për votimin e shkarkimit të kryetarëve në katër komunat në veri, Qeveria e Kosovës u shpreh se i ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave kufizuese, të cilat vazhdimisht i kishte vlerësuar si të padrejta.