BE pas rrëmbimit të policëve: Jemi duke verifikuar ngjarjet në vijën kufitare Kosovë-Serbi

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë për KosovaPress se po trajtojnë si ”çështje urgjente” situatën e krijuar në Kosovë, pasi forcat serbe rrëmbyen tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Stano ka thënë se janë në kontakt me Kosovën, Serbinë, si dhe KFOR-in, për të verifikuar ngjarjet që në vijën kufitare në mes të dy vendeve.

“Ne jemi-si çështje urgjente-në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in, për të përcaktuar se çfarë dhe si ka ndodhur saktësisht”, ka thënë Stano në një përgjigje me shkrim.

BE ka bërë thirrje për përmbajtje nga çdo veprim që mund të kontribuojë në ngritje të tensioneve.

“Ne u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo reagim që mund të kontribuojë më tej në ngritjen e tensioneve. Ne përsërisim thirrjen e BE-së për de-përshkallëzim të menjëhershëm dhe vendimtar”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë duke patrulluar thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.