BE: Sanksionet kundër Rusisë do të përfshijnë edhe fushën e energjisë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se sanksionet që do të zbatojnë nëse Rusia sulmon Ukrainën do të përfshijnë edhe fushën e energjisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një fjalim në Konferencën e Sigurisë në Munih, Von der Leyen theksoi se Bashkimi Evropian duhet të jetë i përgatitur kundër veprimeve të Rusisë.

“Si BE dhe partnerë transatlantik po përgatisim një paketë të qëndrueshme financiare dhe ekonomike që përfshin edhe fushat e energjisë dhe teknologjisë së përparuar. Nëse Kremlini sulmon, do të bëjmë që Moska të paguaj një kosto dhe pasoja të rënda për interesat e saj ekonomike. Mendimi i rrezikshëm i Kremlinit që del nga një e kaluar e errët mund t’i kushtojë të ardhmes së begattë të Rusisë”, deklaroi Von der Leyen.

Ajo shtoi se po kryejnë punime për të zvogëluar varësinë nga gazi natyror që vjen nga Rusia në BE. Von der Leyen më tej tha se kompania energjetike ruse “Gazprom” furnizon gazin me nivelin më të ulët të kontratave, pavarësisht çmimeve të larta të energjisë.

“Rusia ka furnizuar me gaz në nivelin më të ulët në 6 muajt e fundit. Gazi i ‘Gazprom’-it në depozitat e Evropës është në nivelin më të ulët në 10 vitet e fundit”, tha Von der Leyen.

“Kjo është një mënyrë e çuditshme sjelljeje për një kompani”, tha Von der Leyen. Ajo potencoi se për të shtuar diversitetin e energjisë po punojnë me shumë vende kryesisht SHBA-në dhe se përpiqen të rrisin furnizimin e gazit të lëngshëm natyror.

“Që nga sot edhe nëse Rusia e ndërpret plotësisht furnizimin me gaz, ne mund ta kalojmë lehtësisht dimrin. Jemi të vendosur në rritjen e burimeve të energjisë së rinovueshme në afat të mesëm dhe të gjatë. Kjo do të rrisë pavarësinë strategjike për energji të Evropës”, tha presidentja e KE-së. /aa