BE thirrje ndaj regjimit të Assadit dhe aleatëve të ndalojnë sulmet në Idlib

Bashkimi Evropian (BE) u bëri thirrje regjimit të Bashar al-Assadit dhe aleatëve që të ndalojnë sulmet në Idlib, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e bërë nga Departamenti për Politikë të Jashtme të BE-së (EEAS) thuhet se regjimi i Assadit dhe aleatët i bombardojnë nga ajri dhe toka civilët dhe rrugët e ikjes të civilëve në veriperëndim të Sirisë. 

BE u bën thirrje regjimit dhe aleatëve që të ndalojnë sulmet në Idlib dhe të respektojnë ligjin ndërkombëtar, duke potencuar se në javët e fundit në veriperëndim të vendit 80.000 civilë janë zhvendosur nga vendet e tyre, numër i cili që nga muaji shkurt ka arritur në 800.000.

Deklarata nënvizon nevojën urgjente për ndihma humanitare në Idlibin ku jetojnë tre milionë civilë. “Organizatat terroriste të listës së Kombeve të Bashkuara në Idlib janë shqetësimi i të gjithëve por lufta ndaj këtyre grupeve nuk lejon shkeljen e së drejtës ndërkombëtare dhe bombardimin e civilëve”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë gjithashtu u theksua se përleshjet në Idlib rezikojnë besimin ndaj negociatave politike dhe punimeve të Komitetit Kushtetues për Sirinë.